|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Sfidat dhe Mundësitë në Forcimin e Sundimit të Ligjit në Kosovë

Ese nga Elza Lushtaku – fituese e çmimit të parë.

Sundimi i ligjit është themeli i qeverisjes demokratike dhe është një parim kryesor që siguron funksionimin e një shoqërie të drejtë. Në Kosovë, përpjekjet për të ndërtuar një sundim të fuqishëm të ligjit janë përballur me shumë sfida, si brishtësia e institucioneve dhe korrupsioni. Kjo ese trajton sfidat e shumta në përforcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, dhe identifikon gjithashtu mundësitë e mundshme për forcimin e sundimit të ligjit. Teza mbështet idenë se, megjithëse ka shumë pengesa, bashkëpunimi midis akterëve vendorë dhe ndërkombëtarë mund të krijojë mundësi për një sistem ligjor më efikas dhe të drejtë në Kosovë.

Një nga sfidat kryesore për sundimin e ligjit në Kosovë është brishtësia institucionale dhe jostabilitetit politik. Ndërtimi i një sistemi gjyqësor që funksionon siç duhet është thelbësor për të siguruar drejtësi dhe për ta forcuar sundimin e ligjit. Megjithatë, shpesh është perceptuar se sistemit gjyqësor në Kosovë i mungon pavarësia, gjë që ul besimin e qytetarëve te institucionet ligjore. Përveç kësaj, ndikimi i politikës në proceset gjyqësore është një pengesë e madhe për pavarësinë e vërtetë të gjyqësorit, pasi presionet politike mund të ndikojnë në paanshmërinë e vendimeve gjyqësore.

Korrupsioni mbetet një tjetër pengesë e madhe për sundimin e ligjit në Kosovë. Korrupsioni jo vetëm që dëmton besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, por gjithashtu pengon zhvillimin ekonomik dhe kohezionin social. Përpjekjet për ta luftuar korrupsionin kanë hasur në suksese të limituara, pasi interesat e personave të korruptuar shpesh u rezistojnë masave për llogaridhënie. Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) u krijua për të ndihmuar në adresimin e këtyre çështjeve. Megjithatë, ekzistojnë kritika rreth efikasitetit të tij ku edhe argumentohet se EULEX-i nuk ka arritur të sjellë reforma të rëndësishme në sistemin gjyqësor. Ende ekziston sfida e të pasurit llogaridhënie dhe transparencë nga institucionet publike, e që është thelbësore për rikthimin e besimit në sundimin e ligjit.

Qasja në drejtësi mbetet një çështje kritike për sundimin e ligjit në Kosovë. Shumë qytetarë përballen me pengesa të mëdha kur kërkojnë zgjidhje ligjore, përfshirë mungesë të burimeve financiare dhe të njohurive ligjore. Sistemi ligjor duhet të jetë i qasshëm për të gjithë, pavarësisht statusit socio-ekonomik, për të siguruar që drejtësia të mos jetë një privilegj i qasshëm vetëm për disa persona. Krijimi i organizatave ose qendrave për të ofruar ndihmë dhe edukim ligjor falas, veçanërisht për grupet e marxhinalizuara siç janë minoritetet dhe gratë, është thelbësor, pasi këto grupe shpesh përballen me pengesa më të mëdha për qasje në drejtësi.

Pavarësisht këtyre sfidave, ekzistojnë mundësi për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Teksa Kosova aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian (BE), përputhja me parimet e sundimit të ligjit është një parakusht për pranimin në BE. Ky harmonizim me standardet e BE-së mund t’i nxisë reformat e nevojshme në sistemin gjyqësor, duke promovuar më shumë llogaridhënie dhe transparencë. Për më tepër, bashkëpunimi dhe mbështetja nga komuniteti ndërkombëtarë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve të institucioneve vendore.

Roli i shoqërisë civile në avokimin për sundimin e ligjit është po ashtu i rëndësishëm. Organizatat e shoqërisë civile kanë luajtur një rol të rëndësishëm në rritjen e ndërgjegjësimit për të drejtat ligjore dhe në ofrimin e mbështetjes për grupet e marxhinalizuara. Duke nxitur angazhimin publik dhe duke rritur vetëdijësimin e qytetarëve rreth të drejtave të tyre, këto organizata kontribuojnë që qytetarët të jenë të mirë-informuar për të drejtat e tyre dhe të kërkojnë llogari nga institucionet përkatëse.

Sundimi i ligjit në Kosovë përballet me sfida të mëdha, si brishtësia institucionale, korrupsioni dhe pengesat për qasjen në drejtësi. Megjithatë, integrimi në BE, roli aktiv i shoqërisë civile dhe mbështetja ndërkombëtare ofrojnë mundësi për reforma. Duke adresuar këto sfida, Kosova mund të forcojë sundimin e ligjit dhe të krijojë një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.


– GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT– Ngritja e Reagimit Qytetar Drejtë një Qasjeje të Përmirësuar në Drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter