Dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, paraqet një sfidë mjaftë komplekse në shoqëri. Kosova ka bërë adresimin e kësaj çështje dhe ka bërë përpjekje në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie duke filluar së pari me reformat ligjore, gjegjësisht shfuqizimin e Ligjit të mëparshëm për Mbrojtja nga Dhuna në Familje dhe miratimin e Ligjit të ri për Parandalimin dhe Mbrojtja nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore.
Ky studim do të ofrojë një pasqyrë dhe analizë të kornizës ligjore sa i përket Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, duke i promovuar risitë që ky ligj i sjellë duke e krahasuar atë me Ligjin e mëparshëm për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, duke theksuar se ky ndryshim ligjor vjen si rezultat i raporteve të trupave GREVIO, të cilët kanë për detyrë të bëjnë monitorimin e Konventës së Stambollit tek vendet anëtare, raporte të cilat kanë adresuar mangësitë në sistemin ligjor të Kosovës.
Në këtë drejtim, kjo analizë ligjore do të tregojë se çfarë risi sjellë ligji i ri për parandalimin dhe mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, duke krahasuar ndryshimet që i sjellë ky ligj me ligjin e mëparshëm për mbrojtje nga dhuna në familje, duke filluar nga përcaktimi i qëllimit të ligjit, fushëveprimit, përkufizimeve të shprehjeve në ligj, përgjegjësisë institucionale, masave mbrojtëse, shqiptimit të urdhërmbrojtjeve dhe juridiksionit të gjykatave, si dhe si ndikon kjo reformë ligjore në përfshirjen e një spektri më të gjerë të dhunës, si dhe mbrojtjen më efikase dhe efektive të viktimave të këtyre formave të dhunës.