Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda, ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarit Hamdi Jashari, i cili akuzohet për ushtrim ndikimi.
Seanca e sotme dështoi për shkak të mungesës së të akuzuari Hamdi Jashari dhe mbrojtësit të tij kryesor Shemsedin Piraj, të cilët sipas kryetarit të trupit gjykues Naser Foniqi ftesën e kanë pranuar, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.
Në fillim të seancës, gjyqtari deklaroi se tani ka mbërritur një shkresë, e cila është raport mjekësor nga UNICAMED, me doktor Osman Ramadani – internist, e cila paraqet udhëzimin për pushim mjeksësor të të akuzuarit për shkaqe shëndetësore, por të cilin gjykata nuk e pranoi pasi deklaroi se simptomat nuk janë arsyetim për mosparaqitje në seancë.
Në anën tjetër i dëmtuari Mehdi Kryeziu deklaroi se të akuzuarin e ka parë dje në Gjykatën Themelore në Gjilan rreth orës 15:10, e cila mund të vërtetohet nga kamerat e gjykatës.
Gjyqtari Foniqi deklaroi se gjykata do të komunikoj me klinikën UNICAMED dhe pastaj do shqyrtoj mundësinë e caktimit të njërës nga masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit në shqyrtim gjyqësor.
Njëkohësisht për mosarsyetim të mungesës, avokati Piraj u dënua me gjobë në shumën prej 500 euro.
Seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës do të mbahet me date 17 janar 2025, nga ora 09:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 1 dhjetor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Hamdi Jasharit të cilin e ngarkon për ushtrim ndikimi.
Sipas aktit akuzues të ngritur me 1 dhjetor 2023, i pandehuri Jashari në cilësi të avokatit mbrojtës të dënuarit-kërkuarit Avni Ajruli nga 25 maj 2022 deri më 2 qershor 2022, ka kërkuar dhe pranuar drejtpërdrejtë para në shumë prej 8 mijë euro nga Ilmi Ajruli, vëllai i Avniut, me qellim që i njëjti t’i ja jap këtë shumë të parave kolegjit të gjyqtarëve Naser Maliqi, kryetar i kolegjit dhe anëtarëve Aziz Sheqiri dhe Veli Kryeziu.
Tutje, në aktakuzë thuhet se, këto mjete janë dhënë të akuzuarit me qellim që të njëjtit të ushtrojnë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e tyre në çështjen penale sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan për ekstradimin e të dënuarit Avni Ajruli për shkak të veprës penale “Vrasje”, sipas nenit 123 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilin person e kërkonte shteti në fjalë për ekstradim, e që një kërkesë e tillë të refuzohet nga kolegji i lartcekur.
Me këto veprime, i akuzuari Jashari akuzohet se ka kryer veprën penale “Ushtrim i ndikimit”, nga neni 424, paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovë
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti