|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit dhe të tjerëve

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e gjykimit për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj ish-kryetarit të Komunës së Leposaviqit Dragan Jabllanoviq dhe të tjerëve.

Në seancën e sotme u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve, meqë rast prokurorja e rastit Merita Bina-Rugova deklaroi se nuk është kontestuese që Haxhi Bejtën në Leposaviq e ka sjellë i akuzuari Jabllanovic, po ashtu nuk është kontestuese që në të njëjtën kohë në komunë ka punuar një person me licencë të vlefshme për zyrtarin e prokurimit Dragisha Lakiqevic, i cili person nuk i është përshtatur planeve të të akuzuarit Jabllanovic, ashtu që e ka anashkaluar dhe me datën 2 shkurt 2015 e ka nënshkruar vendimin personal me të cilin e ka caktuar Haxhi Bejtën për zyrtar të prokurimit, duke anashkaluar procedurën e përcaktuar me ligj për angazhimin e zyrtarëve të prokurimit. E njëjta theksoi se Bejta po ashtu ka qenë i punësuar me orar të plotë në Skenderaj.

Tutje, prokurorja Bina-Rugova deklaroi se qëllimi kryesor ka qenë përfitimi i dobisë financiare, ndërsa realizimin e këtij qëllimi në masë të madhe i ka mundësuar i akuzuari Bejta, sepse ka pasur qëllim të njëjtë, i cili në Leposaviq ka ardhur me njerëz të tij të cilët i janë bashkuar grupit kriminal me kushëririn Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu dhe Mehdi Haxhiu, të afërmit dhe fqinjët e Xhemajl Ferizi si dhe me kushëririn e tyre Mensur Rama, ku është kujdesur fillimisht që tenderin për projektin ‘Furnizimi me material ndërtimor’ ta fiton familjari i tij Xhemajl Ferizi, këtë e ka arritur duke bërë ndryshime ndërmjet dosjes së tenderit në gjuhën serbe dhe shqipe, ashtu që në versionin në gjuhën serbe e ka bërë me 18 pozicione më shumë dhe me 12 pozicione të përshkruara ndryshe.

E njëjta kërkoi nga trupi gjykues që të nxjerret aktgjykim dënues për të pandehurit.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Dragan Jabllanovic, avokati Ramë Gashi në fjalën përfundimtare të tij deklaroi se e kundërshton fjalën e fundit të prokurorisë speciale të prezentuar përmes prokurores prezente, duke theksuar se ishte përshkrim fjalë për fjalë i aktakuzës e jo një analizë e argumentuar dhe e mirëfillt të zhvillimit të gjithë këtij procesi, ishte fjalë e paqëndrueshme me mungesë të fjalorit juridik dhe shprehje e një mllefi të tepruar në raport me të mbrojturin tim. I njëjti deklaroi po ashtu që aktakuza është e mbështetur në prova të papranueshme dhe në mungesë të të provuarit me fakte për pretendimet e kryerjes së veprave penale në mënyrë si në dispozitivët e akuzës, duke kërkuar që të mbrojturin e tij ta liron nga gjitha pikat e akuzës për të cilat ngarkohet.

Aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre kërkuan edhe mbrojtësit tjerë të të akuzuarve.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast do të mbahet me datë 5 dhjetor 2024, nga ora 11:00.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.

I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.

Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter