Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Fitim Veliqi akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. Ky rast po trajtohet para trupit gjykues të kryesuar nga Gent Beka dhe me anëtarët Medije Bytyqi dhe Adnan Kamberi, ndërsa nga Prokuroria prezantoi Prokurori Eset Rama.
Në seancën e datës 2 dhjetor u dëgjuan dëshmitë e dy dëshmitarëve, M.B dhe P.H të propozuar nga mbrojtja. Fillimisht u dëgjua dëshmitari P.H të cilit pyetje i parashtroi vetë i pandehuri. Dëshmitari deklaroi se gjatë viteve 2015 dhe 2016 ka mbajtur pozitën e inspektorit të tregut. I njëjti tha se ka pasur raste kur ka pasur probleme dhe është shtyrë rrënimi i objekteve pa leje ndërsa për objektet që janë objekt i akuzës tha se nuk i kujtohet nëse ka pasur tentime të bëhet rrënimi i tyre. Për këto objekte dëshmitari tha se nuk ka qenë lehtë këto objekte të rrënohen për arsyeje se investimi ka qenë shumë i madh.
Dëshmitari pohoi se i pandehuri në një rast ka paguar me para nga gjepi i tij për të rrënuar një objekt në Komoran pasi objekti ka qenë i ndërtuar në një pronë publike dhe nuk ka dashur të dështoj rrënimi, mirëpo kjo nuk lidhet me objektet që janë objekt i aktakuzës.
Lidhur me të pandehurin dëshmitari tha se gjashtë inspektorë që i kanë paraprirë të pandehurit nuk kanë dhënë aq gjoba dhe inicim të procedurave penale aq sa ka bërë i pandehuri vetë. Tutje i njëjti shtoi se nuk ka asnjë dyshim se i pandehuri mund të jetë korruptuar.
Në vazhdim u dëgjua dëshmitarja M.B e cila mban pozitën e inspektores së tregut. E njëjta tha se ka qenë pjesë e inspektimeve gjatë ndërtimit të objekteve që janë objekt i akuzës dhe shtoi se i pandehuri kishte nxjerrë aktvendim për rrënimin e objektit “Ana Princess” ndërsa për objektet e tjera nuk i kujtohet. Dëshmitarja shtoi se të pandehurin e njeh si një person që zbaton ligjin.
I pandehuri propozoi që në cilësinë e dëshmitares të ftohet Sh.H, inspektore, me qëllim që të shpjegoj procedurat e inspektimit që lidhen me rastin. Këtë propozim e kundërshtoi Prokurori pasi që sipas tij janë sqaruar të gjitha këto çështje. Pas konsultimit trupi gjykues mori vendim që të refuzoj propozimin e të pandehurit për dëgjimin e dëshmitares pasi sipas trupit gjykues dëshmia e saj nuk do të mund të sqarojë ngjarjen më shumë se që është sqaruar përmes dy dëshmitarëve të dëgjuar në seancën e sotme duke qenë se të njëjtit po ashtu janë inspektorë.
Prokurori i shtetit, sa i përket provave materiale, propozoi që ndër tjerash të administrohen si prova dokumentacionet e rasteve “Hajdini Palace”, “Ana Princess”, “Viva Fresh” dhe një rasti aktiv. Ndërkaq për provat e propozuara nga ana e mbrojtjes do të procedohet në seancën e radhës e cila u caktua të mbahet me datë 13 dhjetor në orën 8 e 10.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Aulona Alaj