Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi të cilët po akuzohen nga Prokuroria Speciale, për Krim të Organizuar në rastin e njohur si ‘400 Kg kokainë’.
Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit F.SH. i cili nga pytjet e Prokurorit Special, theksoi se në periudhën kohore 2010 – 2013 kishte punuar në kompaninë ‘Mc Food’, në pozitën e Drejtorit të Shitjes, ndërsa sa i përket detyrave të tij theksoi se ka pasur të bëjë mbikqyrjen e shitjeve si dhe kontratat me klientët.
Ndërsa, sa i përket të pandehurve dëshmitari theksoi se i njeh pasi me të njejtit ka punuar në periudhën e lartëcekur, kurse lidhur me porositë e mallrave në emër të Kompanisë, theksoi se e ka bërë menaxheri – drejtori i Importit, tutje dëshmitari shtoi se Kompania ‘Mc Food’ ka importuar kryesishtë mishëra ndër të tjera edhe mish i pulës.
Kurse, lidhur me qasjen e tij në depo të Kompanisë dëshmitari theksoi se ka pasur qasje në raste të regjistrimit të stokut, por shtoi se në disa raste i ishte ndaluar hyrja dhe arsyen nuk e kishte ditur.
Në fund, dëshmitari theksoi se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në Polici dhe Prokurori.
Sa i përket detyrave të punës, dëshmitari theksoi se nuk ka qenë detyrë e tij të menaxhoj depon, por menaxhimi i shitjeve, kurse në atë periudhë përgjegjës për depo ka qenë Kadri Brahimi.
Tutje, nga pytjet e mbrojtësit të të pandehurit Faton Vrajolli, av. Leutrim Syla, dëshmitari theksoi se nuk i kujtohet periudha specifike se kur i pandehuri Vrajolli nuk e kishte lejuar të shkonte në depo, por vetëm i kujtohet se ka ndodhur disa herë, si në rastet e vizitës së furnitorëve.
Në lidhje me problemet e prezentimeve të artikujve të rinjë kur ishte ndërruar paketimi dhe barkodi, dëshmitari theksoi se këto cështje janë bërë me informim paraprak dhe për këtë arsye nuk ka pasur ndonjë problem.
Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës, A.Sh. e cila nga pytjet e Prokurorit Special, ndër të tjera theksoi se me të pandehurin Kadri Sheqiri është në marrëdhënie bashkëshortore por me të njejtin janë në procës të shkurorzimit. Po ashtu, e njejta theksoi i pandehuri pas arrestimit kishte kërkuar ndihmë mjeksore pasi kishte pasur probleme me depresion.
Në vazhdim, dëshmitarja theksoi se në një takim të cilin e kishte mbajtur me të pandehurin tjetër Hyzri Sheqiri ndër të tjera theksoi se nuk ka biseduar lidhur me cështjen e marrjes në pytje para organeve të drejtësisë, por shtoi se kanë biseduar vetëm sa i përket problemit shëndetësor të të pandehurit Kadri Sheqiri, tutje ajo shtoi se kërkesa kishte qenë e saj që të pandehurin Kadri ta dërgonte tek mjeku.
Ndërsa, lidhur me faktin se sa herë kishte kërkuar ndihmë mjeksore i pandehuri Kadri Sheqiri, dëshmitarja theksoi se nuk i kujtohet sakt por sa herë ka pasur nevojë kanë kërkuar ndihmë.
Prokurori Special theksoi duke kërkuar nga trupi gjykues që shqyrtimi i sotëm të ndërpritet pasi pytjet e radhës të cilat i ka për dëshmitarën ndërlidhen me shkresat e lëndes të cilat mbrojtja nuk është e pajisur, si dhe për shkak të një urgjence të Prokurorit Special i njejti kërkoi që shqyrtimi i sotëm të ndëpritet.
Mbrojtësi i të pandehurit Izet Sheqiri, av. Florent Latifaj, theksoi propozimin e tij lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij, dhe rrjedhimisht shtoi se nuk ka relevancë që ai të mbahet nën masën e paraburgimit dhe i njejti e dorëzoi me shkrim kërkesën e mbrojtjes duke kërkuar që në një afat sa më të shkurtër Gjykata të vendos për këtë kërkesë.
Po ashtu, edhe mbrojtësi i të pandehurit Faton Vrajolli, av. Leutrim Syla theksoi kërkesën e tij lidhur me ndërprerjen e masës së paraburgimit për të mbrojturin e tij, dhe e njejta të zëvendësohet me ndonjë masë më të lehtë.
Trupi gjykues lidhur me propozimin për ndërprerjen e shqyrtimit gjyqësor aprovoi kërkesën e Prokurorit Special dhe rrjedhimisht shqyrtimi i sotëm u ndërpre.
Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Valon Kurtaj dhe gjyqtari Rrahman Beqiri. Ndërsa, PSRK përfaqësohet nga Prokurori Special Valdet Gashi.
Kujtojmë që, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur me datë14 nëntor 2022, të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi, po akuzohen se duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe në bashkim të strukturuar kriminal, duke bashkëpunuar me persona deri më tani të panjohur nga shteti i Brazilit dhe pas marrëveshjes paraprake me të njëjtit, fillimisht kanë lidhur marrëveshje për importin e produkteve të mishit të pulës të ngrirë, ku në brendi të së cilës është vendosur edhe substanca narkotike e llojit kokainë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, kompania “MC FOOD” Sh.p.k, për qëllime të importit të mallit, është kategorizuar në linjën e verdhë, ku në stacionet doganore bëhet vetëm verifikimi i dokumenteve dhe jo kontrollimi i mallit, dhe duke shfrytëzuar këtë mundësi, është arritur që substanca narkotike prej 400 kg e llojit kokainë, të transportohet nga shteti i Brazilit, nëpërmjet shtetit të Spanjës, Italisë dhe Republikës së Shqipërisë, ashtu që me datën 15.05.2021, substanca narkotike është futur në Republikën e Kosovës.
Të akuzuarit e lartëpërmendur sipas Prokurorisë Speciale, me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: ‘Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar’ nga neni 277 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Kujtojmë se të akuzuar në këtë rast kanë qenë edhe Naim Morina dhe Hyzri Sheqiri, të cilët akuzoheshin për pengim të procedurës penale, mirëpo pasi që të njëjtin kanë pranuar fajësinë, ndaj të njëjtëve është shpallur aktgjykim fajësues.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Arton Hoxha