|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet një dëshmitarë në rastin e ish- zyrtarit të ATK, i akuzuar për Korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Deparamentin për Krime të Rënda, ka vazhduar gjykimi ndaj të pandehurit Malush Kelmendi, ish-zyrtarë në ATK, i cili nga Prokuroria akuzohet se ka kryer veprat penale: ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’.

Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit, F.R. i cili nga pytjet e Prokurorit të Shtetit ndër të tjera theksoi se nga viti 2013 punon në ATK, në pozitën e Menaxherit të Divizionit për përfaqësime gjyqësore, kurse sa i përket detyrave të punës së tij, theksoi se bënë menaxhimin e aktiviteteve të përfaqësimeve, duke shtuar se përfaqësojnë ATK në procedura gjyqësore, po ashtu ai shtoi se si divizion bëjnë edhe interpretime si dhe opinione ligjore të vendimeve gjyqësore për ATK.

Tutje, dëshmitari theksoi se në Departamenti në të cilin punon merren edhe me opinione rreth procedurave të cilat kanë të bëjnë me certifikata të lirimit nga barra tatimore, konkretishtë kur rastet ndërlidhen me ndonjë vendim të një organi tjetër.

Ndërsa, sa i përket cështjes së lirimit të barrës tatimore, dëshmitari theksoi se si interpretim në këto raste forma është shabllon sipas sistemit pasi këto janë të përpunuara nga grupi punues dhe të njejtat e kanë formën zyrtare, kurse lidhur me nënshkrimin e tyre theksoi se kjo është detyrë e Departamentit të Mbledhjes dhe menaxhimit të Borxheve.

Kurse, sa i përket certifikatës të cilën e ka lëshuar i pandehuri dëshmitari theksoi se ka dijeni nga momenti kur ka dhënë një deklaratë në Prokurori, por shtoi se si formë nuk i kujtohet nëse e ka parë të njejtën, tutje sa i përket kësaj certifikate dëshmitari theksoi se nuk i ishte kërkuar ndonjë interpretim.

Ndërsa, sa i përket cështjes së ndonjë mendimi ose opinioni sa i përket borxheve të subjektit ‘Jeta med farm’, dëshmitari theksoi se në dijeni të tij nuk i kujtohet që të jetë kërkuar ndonjë interpretim në departamentin e tij për këtë subjekt.

Në vazhdim, nga pytjet e mbrojtësit të të pandehurit, av. Fatmir Kurmehaj, dëshmitari fillimisht theksoi se qëndron në tërësi pranë deklaratës së dhënë në Prokurori.

Kurse, pas një ballafaqimi me një dokument në të cilin theksohet borxhi i biznesit ‘Jeta Med Farm’, ndër të tjera në të pasqyrohet gjendja e borxhit e cila është në shumën e 1,708 Euro, dëshmitari theksoi se kjo shifër ka të bëjë me kategorinë e ndëshkimeve të cilat kalkulohen mbi tatimin bazë.

Tutje, dëshmitari theksoi se barra tatimore nga data e vendosjes ka efekt juridik 6 vite, tutje shtoi se moment i regjistrimit në këtë rast konsiderohet momenti kur lind obligimi tatimor.

Sa i përket rastit konkret, nëse tatimpaguesi do ta paguante vlerën e tatimit bazë si dhe interesin, do kishte të drejtë paraqitjen e kërkesës për uljen e ndëshkimeve. Tutje, dëshmitari theksoi se edhe nëse do të lirohej barra tatimore në rastin konkret në dijeni të tij nuk do të kishte dëm për ATK-në.

Në vazhdim, nga pytjet e trupit gjykues, dëshmitari theksoi se në rastin kur paguhet borxhi dhe mbetën vetëm ndëshkimet, ATK ka mundësi të mbajë barrën tatimore, konkretishtë dëshmitari theksoi se barra tatimore duhet të jetë në proporcion me borxhin, tutje shtoi se sipas ligjit nuk specifikohet shuma se kur mund të lind barra tatimore.

Në fund, dëshmitari theksoi se në rastin kur lirohet një pronë si në rastin konkret, subjekti nuk mund të lirohet nga obligimi tatimor. Si dhe sipas tij, në rastin konkret në kuptim të dokumenteve të cilat i janë paraqitur në këtë seancë, nuk i është shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës apo ATK-së.

Kryetari i trupit gjykues, theksoi se pasi në pjesën e pasditës ka të caktuar një shqyrtim tjetër, seanca e sotme duhet të ndërpritet.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Ertan Sejfulla dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtarja Fatime Dërmaku dhe gjyqtari Naser Foniqi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori i Shtetit Zefë Prendrecaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës, së Prokurorisë, i pandehuri Malush Kelmendi akuzohet se me datë 19.05.2023, si person zyrtar tatimor në Drejtorinë e mbledhjes së detyrueshme tatimore në regjionin e Prishtina 3, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, e në mënyrë të kundërligjshme, ka tejkaluar kompetencat e tij, me qëllim që të përfitoj cfarëdo dobie për tjetrin, dhe me qëllim që t’i shkaktojë dëm ATK-së edhe buxhetit të Republikës së Kosovës, ka marrur veprime të paautorizuara në kompjuterin e tij duke krijuar një dokument – certifikatën e lirimit të barrës tatimore, të njejtin dokument e ka plotësuar, e ka vulosur, e ka nënshkruar pa qenë zyrtar i autorizuar sepse të njejtin dokument duhej ta vuloste eprori i tij Zijadin Syla e pastaj të njejtin dokument e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë, me qëllim që subjekti tatimor i pronarit Afrim Radoniqi të i zhbllokohen pronat – shtëpia dhe një parcelë tokë, të cilat ATK-ja ia kishte bllokuar për shkak të obligimeve tatimore,

Sipas prokurorisë me veprimet e tij, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Malush Kelmendi në dokumentin zyrtar, Certifikatën e lirimit të barrës tatimore ka shënuar të dhëna të rreme për biznesin N.T.SH ‘ETAMEDIFARM’, ashtu që të njejtin dokument e ka plotësuar, me vulë e ka vërtetuar dhe nënshkruar, ia ka vendosur vulën katrore, e ka keqpërdorur vulën e protokollit, duke regjistruar dhe duke i dhënë një numër fiktiv, i cili dokument nuk figuron i regjistruar në librin e protokollit në Drejtorinë e Mbledhjes së detyrueshme dhe përmban plotësishtë të dhëna të rreme, e pastaj të njejtin dokument personalisht e ka dorëzuar në Zyrën e Kadastrit në Pejë.

Me këto veprime, sipas aktit akuzes, i pandehuri Kelmendi ka kryer veprën penale ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar’ nga neni 427 par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: I akuzuari i përmendur në këtë postim konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha 
 

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter