|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dështon shqyrtimi gjyqësor ndaj 2 ish-zyrtarëve policor të akuzuar për Korrupsion

Në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi në rastin e dy ish-policëve Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të cilët nga Prokuroria akuzohen për veprat penale: ‘Marrje e ryshfetit’ dhe ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’.

Fillimisht, në konstatim të palëve trupi gjykues theksoi se mungon i pandehuri Lutfi Menxhiqi, për të cilin mbrojtësi i tij av. Skender Musa theksoi se ka pranuar një raport mjekësor në të cilin ka deklaruar se është në gjendje jo të mirë shëndetësore dhe i njejti nuk mund të jetë prezent në shqyrtimin e sotëm.

Tutje, u konstatua se nuk ka kushte për vazhdim të shqyrtimit gjyqësor.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtarja Sulltane Hoti dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Avni Syla dhe gjyqtari Alban Ajvazi. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori Zefë Prendrecaj.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë me datë 14 Shkurt 2022 i kishte shpallur fajtor të pandehurit, ku Lavdim Osmani ishte dënuar me 6 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 4 mijë euro, ndërsa Lutfi Menxhiqi ishte dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 4 mijë euro. Kurse, Gjykata e Apelit me datë 3 Maj 2023, e kishte anuluar vendimin dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të datës 30 Qershor 2020, të akuzuarit Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në cilësinë e hetuesve në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, kanë pranuar ryshfet në këmbim që të mos ndërmarrin veprime për luftimin e lojrave të fatit.

Tutje, në këtë aktakuzë thuhet se takimin e kishte organizuar i akuzuar Menxhiqi, i cili i kishte kërkuar të akuzuarit Osmani që të takohet me D.B dhe D.H, në kafenen “Central”, ku më pas i akuzuari Osmani ka pranuar shumën prej 3 mijë euro nga D.B, me qëllim që të mos pengojë veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit.

Kjo shumë e parave, nga të akuzuarit ishte ndarë në dy pjesë, ku secili nga të akuzuarit kanë marrë nga 1 mijë e 250 euro, ndërsa 500 euro nga kjo shumë ja kanë dërguar kolegut të tyre F.Z, për arsyeje të një rasti tragjik që i kishte ndodhur këtij të fundit.

Me këto veprime, të akuzuarit Osmani dhe Menxhiqi akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, ndërsa i akuzuari Lutfi Menxhiqi akuzohet edhe për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter