Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin Special, është shpallur aktgjykimi ndaj ish – kryetarit të Komunës së Leposaviqit, Dragan Jabllanoviq, dhe të tjerëve në rastin ku po akuzohen për Krim të organizuar dhe korrupsion.
Trupi gjykues i kryesuar nga Violeta Namani dhe me anëtarët Vesel Ismaili dhe Rrahman Beqiri, me datë 5 dhjetor, shpallën aktgjykim dënues për të gjithë të akuzuarit në këtë çështje penale.
Kështu i pandehuri Dragan Jabllanoviq u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me 3 vite burgim efektiv. I pandehuri Haxhi Bejta u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me 2 vite e 6 muaj burgim efektiv. Tutje për të njëjtën vepër penale u dënua edhe i pandehuri Aleksander Ackoviq dhe u dënua me 2 vite burgim efektiv ku të njëjtit iu shqiptua edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
I pandehuri Aleksander Kostiq u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit burgim për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” ku të njëjtit iu shqiptua edhe dënimi plotësues njëlloj si të bashkakuzuarit në kohëzgjatje prej 1 viti. Cedomir Timotijeviq u shpall fajtor dhe u dënua me 2 vite burgim efektiv dhe dënim plotësues të ndalimit të funksionit në administratën publikë në kohëzgjatje prej 2 vitesh për të njejtën vepër penale.
Tutje, i pandehuri Bojan Banoviq u shpall fajtor për “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me 2 vite burgim efektiv dhe dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike për 2 vite. Si dhe i pandehuri Mirosllav Ivanoviq u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” për çka dënohet me 2 vite burgim efektiv
Të pandehurit e lartcekur, sipas gjykatës, veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” e kanë kryer në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi.
Në vazhdim i pandehuri Ivan Kadiq u shpall fajtor dhe u dënua për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me 6 muaj burgim i cili dënim me pëlqimin e të pandehurit mund të zëvendësohet me gjobë në shumë prej 5 mijë eurosh. Të njëjtit i shqiptohet edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 1 viti.
I pandehuri Boban Millovanoviq u shpall fajtor për veprën penale të “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe u dënua me 6 muaj burgim i cili mund ti kthehet në gjobë në shumë prej 5 mijë euro. Të njëjtit po ashtu i shqiptohet dënimi plotësues si të pandehurit të lartëcekur.
I pandehuri Xhemajl Ferizi u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” për çka u iu shqiptua gjoba në lartësi prej 500 mijë eurosh si dhe burgimi në kohëzgjatje prej 2 vitesh. Për të njëjtën vepër penale u shpall fajtor edhe i pandehuri Mehdi Haxhiu dhe u dënua me 500 mijë euro gjobë dhe burgim në kohëzgjatje prej 2 vitesh.
I pandehuri Mensur Rama, për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” , u shpall fajtor dhe u dënua me 50 mijë euro gjobë dhe burgim ne kohëzgjatje prej 1 viti. Ndërkaq i pandehuri Nijazi Musliu u shpall fajtor për veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” dhe u dënua me 100,000 euro gjobë dhe burgim në kohëzgjatje prej 6 muaj burgim i cili me pëlqimin e të pandehurit mund ti zëvendësohet më gjobë në shumë prej 30 mijë euro.
Ndërkaq gjykata të gjithë të pandehurit i liroi nga akuzat për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” duke theksuar se nuk manifestohen elemente të kësaj vepre penale.
Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.
Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë vepruar në formën, duke ndarë fonde nga buxheti i Komunës për kompanitë përfituese në tendere për kryerjen e projekteve të ndryshme, e të cilat nuk janë kryer sipas duhet, meqë rast kompanitë përkatëse kanë përfituar dobi pasurore, duke dëmtuar buxhetin publik. Njëkohësisht zyrtarët komunal, në cilësinë e anëtarëve të komisionit kanë bërë pranimin teknik të punimeve të cilat nuk kanë qenë të përfunduara fare, apo se nuk janë përfunduar sipas planit dinamik.
I pandehuri Dragan Jabllanoviq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal” të organizuar nga neni 283, par. 2 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Të pandehurit Haxhi Bejta, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Cedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK.
Ndërsa, të pandehurit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, akuzohen se e kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par. 1 të KPRK lidhur me veprën penale “Keqpërdorimi i autorizimeve ekonomike” nga neni 290, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.5 të KPRK.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Aulona Alaj