Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, para trupit gjykues të kryesuar nga Vesel Ismaili dhe me anëtarët Valon Kurtaj dhe Rrahman Beqiri, ishte paraparë që sot të mbahej seanca e shqyrtimit gjyqësor për dëgjimin e dëshmitares bashkëpunuese S.A në rastin e njohur si “Toka 2”.
Mirëpo, në hapje të seancës kryetari i trupit gjykues bëri të ditur se gjykata nuk ka arritur të sigurojë prezencën e dëshmitares në fjalë edhe pse ka marrë të gjitha veprimet e mundshme për të bërë një gjë të tillë.
Lidhur me këtë situatë Prokurorja Speciale Merita Bina – Rugova propozoi që deklaratat e dëshmitares bashkëpunuese të konstatohen të lexuara. Ky propozim nuk u mirëprit nga mbrojtja të cilët dhanë kundërshtimet e tyre.
Fillimisht avokati Shkelzen Sopjani, i cili në këtë procedurë mbron të akuzuarit Mehmet Prishtina, tha se deklaratat e dëshmitares në fjalë janë kundërthënëse dhe po të konsideroheshin të lexuara do të shkelej parimi i barazisë së armëve duke qenë se mbrojtja nuk ka pasur asnjë mundësi që të njëjtën ta marrë në pyetje.
Mbrojtësi i të pandehurit Dukagjin Emerllahu, avokati Fitim Malokaj, iu drejtua gjykatës me pyetjen se a ka aktvendim për shpalljen e saj si dëshmitare bashkëpunuese apo qëllimi i saj ka qenë ti shmanget drejtësisë duke dëmtuar palët në procedurë.
Fjalën e mori edhe avokati Afrim Salihu i cili mbron të akuzuarin Avni Maxhuni i cili tha se dëshmitarja patjetër duhet të prezantojë për shkak të diskrepancave në mes të deklaratave të saj duke shtuar se gjykata duhet të bëj të pamundurën për sigurimin e prezencës së saj.
Pasi trupi gjykues u tërhoq për këshillim ata erdhën me aktvendim sipas të cilit obligoi Prokuroren që gjykatës ti siguroj urdhrin mbi të cilin është shpallë dëshmitare bashkëpunuese pasi një dokument i tillë nuk ekziston në dosjen e lëndës. Po ashtu kryetari i trupit gjykues shtoi se gjykata do të vazhdoj të bëj përpjekje për gjetjen e saj edhe përmes Ministrisë së Drejtësisë.
Pasi seanca e sotme u ndërpre u anuluan edhe seancat e tjera të parapara me datat 11 dhe 12 dhjetor.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emerllahu e Nexharije Hoti e Avni Maxhuni, akuzohen për veprën penale “krim i organizuar”. Ata akuzohen se nga fillimi i vitit 2009 e deri në tetor të vitit 2014, në territorin e Kosovës, më qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, kanë kryer krime të rënda si pjesë e një grupi kriminal të strukturuar.
Prokuroria pretendon se Mehmet Prishtina ka qenë organizator, mbikëqyrës dhe menaxher i aktiviteteve të grupit kriminal të organizuar të përbërë nga Prishtina, Nexharije Hoti dhe Avni Maxhuni. Hoti e Maxhuni, sipas prokurorisë, dyshohet se i kanë menaxhuar aktivitetet kriminale të këtij grupi duke u dhënë udhëzime pjesëtarëve tjerë të këtij grupi.
Ata akuzohen edhe për veprën penale “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “shpërlarja e parave në vazhdimësi”, ndërsa bashkë me Emërllahun akuzohen edhe për veprat penale “ndihma në kryerjen e veprës penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore të paligjshme”, “ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare”, “grabitja” dhe “shpërlarja e parave në vazhdimësi” Hoti akuzohet për krim të organizuar të ndërlidhur me veprat penale të nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore dhe shpërdorimit të detyrës zyrtare në vazhdimësi.
Nexharije Hoti akuzohet se si gjyqtare e Gjykatës Komunale të Prishtinës, e caktuar në çështjen civile nr.724/2009, për të drejtat pronësore mbi ngastrat shoqërore, ka gjykuar lëndën në dobi të Dukagjin Emërllahut, i cili ka bashkëpunuar me Mehmet Prishtinën dhe me dashje që t’i shkaktojë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, ka nxjerrë vendim të paligjshëm me të cilin ka aprovuar padinë e Emërllahut për të drejtat pronësore të mbi 45 ngastrave me një sipërfaqe prej 36.45 hektarë, që kanë qenë në posedim të të paditurave KBI “Kosova Export”, dhe zyra rajonale e Asgjësisë Kosovare të Privatizimit.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga: Aulona Alaj