Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj Merita Simnica, Burim Gërguri dhe Ibrahim Krasniqi, të cilët akuzohen për veprën penale ‘Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’.
Në seancën e sotme vazhdoi një pjesë të dëshmisë, dëshmitari I.G, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë.
Dëshmitarit pyetje i parashtroi e akuzuara Simnica, e cila kërkoi nga dëshmitari të deklarohet se vendimi i refuzimit nga Ministria e Bujqësisë a ka ardhur përmes arkivës apo emailit zyrtar, për shkak që atë vendim nuk e ka parë asnjëherë, derisa ia ka prezantuar hetuesia, meqë rast dëshmitari deklaroi se arkiva është përgjegjëse për ti protokolluar vendimet dhe ka përgjegjësi me i shpërnda tek personat tjerë.
Ndërsa në pyetjet e gjyqtares së rastit Alltëne Murseli, në lidhje me numrin e anëtarëve të komisionit dhe mënyrën e marrjes së vendimeve, dëshmitari deklaroi se janë 5 anëtarë, ndërsa vendimet merren me shumicën e thjeshtë dhe pas marrjes së vendimit i propozojnë sekretarit të përgjthshëm për aprovim apo refuzim, varësisht nga vendimi i komisionit.
Sa i përketë vizitës në terren, dëshmitari deklaroi se kanë shikuar pozicionin e parcelës dhe në bazë të lokacionit dhe dokumenteve që ju janë prezentuar janë kërkuar informata shtesë nga Drejtoria për Planifikim dhe Urbanizëm në Obiliq dhe në bazë të atyre informacioneve është marrë vendimit, po ashtu gjendja faktike ka qenë që aty nuk ka pasur ndërtim.
Pengesat kryesore në këtë rast, dëshmitari deklaroi se kanë qenë Plani Zhvillimor Komunal që ka qenë në fuqi në atë kohë, ku toka ka qenë e paraparë për bujqësi dhe jo ndërtim, si dhe sipas informacionit të Ibër-Lepenci, toka ka qenë brenda sistemit të ujitjes.
Për shkak të mungesës së dëshmitarëve të tjerë, të cilët kanë qenë të ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk kanë prezentuar në seancë, si dhe me kërkesë të prokurores Luljeta Bilalli, seanca e sotme u ndërpre, ndërsa e radhës do të mbahet me date 19 shkurt 2025, nga ora 09:00.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore, të akuzuarit Merita Simnica, Burim Gërguri dhe Ibrahim Krasniqi, në cilësin e personave zyrtarë akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e caktuara.
Tutje, në aktakuzë theksohet se nga veprimet e tyre është lejuar dhe lëshuar një leje për ndërtimin e një fabrike në mënyrë të kundërligjshme. Me këto veprime të akuzuarit sipas Prokurorisë, kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtarë’.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Leotrim Pajaziti