|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohen 3 dëshmitarë në rastin e të akuzuarve për korrupsion në Korporatën Energjetike të Kosovës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin ndaj të akuzuarve Vllaznim Emërllahu, Muhamet Selmani dhe Flamur Bekteshi, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ në KEK-ë.

Shqyrtmi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit I.V, i cili kishte mbetur duke u dëgjuar në shqyrtimin e kaluar, ndër të tjera dëshmitari shtoi se cmimet e caktuara tek shitjet të cilat përmenden në akuzë, kanë qenë të lejuara pasi janë caktuar nga menaxhmenti dhe personat e akuzuar nuk kanë qenë në funksion të drejtorëve. Tutje, dëshmitari shtoi se në fund i gjithë projekti ishte realizuar.

Kurse, lidhur me faktin e buxhetit si dhe cmimit të shitjes prej 14 euro, dëshmitari theksoi se pas lejimit të drejtorëve ishte ulur në 8 euro, dhe në këtë rast dëshmitari shtoi se e kanë lajmëruar menaxhmentin se ky cmim është i pafavorshëm.

Tutje, gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarës së dytë, M.G, e cila nga pytjet e Prokurorit të Shtetit, ndër të tjera theksoi se në vitin 2021 kishte punuar në Korporatën Energjetike të Kosovës, si Ushtruese e detyrës, si Menaxhere për mbështetje të Prokurimit.

Kurse, sa i përket procesit të shitjes së thëngjillit se a ishte bërë publikimi për shitje në faqën e KRPP-së si dhe a ishte zhvilluar procedura e shitjes përmes E-Prokurimit, dëshmitarja lidhur me këtë cështje theksoi se në përgjegjësi të saj kishte qenë të bënte komunikimin me KRPP-në sa i përket publikimeve në web-faqe.

Tutje, nga pytjet e mbrojtësit të të pandehurit Vllaznim Emërllahu, av. Florian Petani, dëshmitarja theksoi se një email të cilin ia ka drejtuar të pandehurit Emërllahu, ndër të tjera kishte kërkuar një sugjerim apo rekomandim lidhur me një cështje të caktuar.

Kurse, lidhur me dërgimin e email-it të datës 15.02.2021, se a kishte qenë funksionale E-Prokurimi, sa i përket pjesës së shitjes dëshmitarja theksoi se në vitin 2019 kanë publikuar shitje në E-Prokurim, mirpo për shkak të problemeve, KEK-u e kanë lajmruar KRPP-në, se kanë probleme dhe kanë kërkuar sqarime se si të veprojnë me rastin e publikimeve, si dhe këtu ishin informuar se mund të përdorin platformën e vjetër.

Në fund, dëshmitarja theksoi se me datë 21.06.2021 kishin kërkuar nga KRPP që të dërgojnë linkun se ku janë publikuar njoftimet lidhur me aktivitetin e Prokurimit të lartëcekur.

Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit të tretë, i cili ndër të tjera theksoi se platforma elektronike e KRPP-së është E-Prokurimi që nga viti 2016 kur edhe kishte filluar implementimi i kësaj platforme, dhe qëllimi i saj është që të gjitha procedurat e prokurimit të zhvillohen përmes saj në nivel të vendit.

Kurse, sa i përket njoftimit të datës 12.02.2021, dëshmitari theksoi se kanë pranuar këtë përmes email-it, tutje shtoi se për këtë cështje kanë kërkuar që aktiviteti të publikohet në E-Prokurim. Ndërsa, në rastin konkret që është edhe objekt i akuzës, dëshmitari theksoi se përgjegjësia kryesore për publikim kishte qenë e autoritetit kontraktues.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Alban Ajvzi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Avni Syla dhe gjyqtarja Sulltane Hoti. Ndërsa, Prokuroria Themelore përfaqësohet nga Prokurori Kujtim Munishi.

Të lartpërmendurit, në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të datës 23.10.2023, janë akuzuar për veprën “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”. I akuzuari i parë, Vllaznim Emerllahu është akuzuar nga PTHP sepse në cilësi të Zyrtarit të Lart të Zyrës së Prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër, me dashje nuk ka vepruar konform legjislacionit të prokurimit publik.

Në këtë mënyrë i akuzuari, në cilësinë e personit zyrtar dhe si bartës i lëndës për tenderin e titulluar “Shitja e qymyrit”, i kishte dërguar email Menaxheres për Përkrahje të Prokurimit të KEK-ut, ashtu që të dërgoj ofertën për publikim në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (tutje referuar si “KRPP”), pa e përfunduar dosjen e tenderit. Ndërsa KRPP-ja për këtë, përmes email-it i kishte kthyer përgjigje duke kërkuar që ofertën për Shitje të qymyrit ta publikoj në platformën E-Prokurimi. Megjithatë kësaj, i pandehuri përkundër udhëzimeve që ta publikoj ofertën në platformën E-Prokurimi, këtë nuk e kishte bërë dhe kishte vazhduar tutje me këtë aktivitet në kundërshtim me procedurat e prokurimit. I njëjti sëbashku me të akuzuarin Muhamet Selmani, ishin takur me përfaqësuesit e Operatorit Ekonomik “Enertech” Sh.p.k dhe kishin biseduar për tenderin në fjalë. Më vonë i njëjti operator është shpallur fitues i këtij tenderi.

I akuzuari Muhamet Selmani, në cilësinë e personit zyrtar si Menaxher i Departamantit të Punëve dhe Shërbimeve në KEK, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër e ka keqpërdor detyrën e tij zyrtare duke tejkaluar kompetencat e tij dhe duke shkelur kështu legjislacionin e prokurimit publik, ku më datë 23.02.2023, në koridoret e KEK-ut, është takuar me përfaqësuesit e Operatorit Ekonomik “Enertech” Sh.p.k dhe së bashku me bartësin e lëndës – Vllaznim Emërrllahu, pa qenë i publikuar tenderi i kishte thënë të akuzuarit Emërllahu se “unë e sqaroj këtë punë me operatorin (“Enertech”) në kafene!”, ku edhe pas këtij takimi i kishte kërkuar të akuzuarit të parë që të mos e publikonte tenderin dhe minuta më vonë këtë ‘kërkesë’ e kishte referuar edhe përmes emal-it zyrtar.

I akuzuari i tretë, Flamur Bekteshi, në cilësinë e personit zyrtar si Zyrtar Përgjegjës i Zyrës së Prokurimit në KEK, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, i njëjti ka vepruar në kundërshtim me legjislacionin për prokurim publik, ngase edhe pse ka qenë në dijeni të vazhdueshme për mos publikimin e tenderit të lartpërmendur, ai ka vazhduar tutje me procedurën e prokurimit deri sa më datë 1 Prill 2021, e ka shpërblyer Operatorin Ekonomik “Enertech” Sh.p.k me kontratë për shitjen e thëngjillit me një cmim minimal prej 1,600,000.00 Euro për 200,000 ton thëngjill, aq edhe sa kishte qenë oferta minimale e shitjes ku edhe rrjedhimisht, operatorëve të tjerë ekonomik u kishte mohuar konkurrencën dhe mundësinë e ofertimit në këtë aktivitet.

Andaj, edhe në bazë të aktakuës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të lartpërmendurit akuzohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par. 3 nënpar 3.2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter