Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot me datë 10 dhjetor është shpallur i mbyllur shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si “Toka”. Prokuroria dhe një pjesë e mbrojtjes fjalët përfundimtare i kanë thënë në seancën e datë 9 dhjetor ndërsa pjesa tjetër vazhdoi në gjykimin e sotëm.
Fillimisht fjalën përfundimtare e tha avokati i të pandehurit Lubisha Vujoviq i cili tha se mungojnë provat formale për të mbështetur akuzën e krimit të organizuar pasi të pandehurit kurrë nuk janë takuar e as nuk kanë bërë kurrëfar plani së bashku. Si përfundim avokati shtoi se jo vetëm për të mbrojturin e tij por edhe për të pandehurit e tjerë nuk përmbushen elementet e veprës penale të krimit të organizuar.
Fjalën e mori edhe vetë i akuzuari Vujoviq i cili deklaroi se asnjërin prej të bashkëakuzuarve nuk i ka njohur dhe të njëjtit i ka takuar gjatë këtij gjykimi. I njëjti kërkoi nga trupi gjykues që ta lirojë nga akuzat që i bien në barrë.
Më tutje fjalën përfundimtare e dha avokati Tomë Gashi për të akuzuarin Sabedin Haxhiu. Gashi fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe shtoi se për përpilimin e saj ka angazhuar ekspert të fushës civile. Ai po ashtu tha se Prokuroria ka keqinterpretuar dispozitat ligjore që kanë të bëjnë me regjistrimin e patundshmërive. Për fund avokati Gashi tregoi bindjen e tij se trupi gjykues në këtë rast do të nxjerrë aktgjykim të drejtë dhe të ligjshëm. I pandehuri Sabedin Haxhiu tha se pajtohet me fjalën përfundimtare të avokatit.
Për të pandehurin Avni Maxhuni mbrojëtsi i tij Muhamet Humolli fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe shkurtimisht elaboroi. Gjatë këtij elaborimi avokati Humolli tha se i mbrojturi i tij është i pafajshëm kurse aktakuzën e quajti të paqëndrueshme dhe të pabazuar. Kështu ai kërkoi nga trupi gjykues që të marrin aktgjykim lirues për të mbrojturin e tij.
Fjalën e mori edhe vetë i akuzuari Avni Maxhuni i cili para trupit gjykues tha se e gjitha akuza që i bie në barrë nga Prokuroria ka të bëjë me një pronë të blerë nga bashkëshortja e tij e ndjerë. Si përfundim ai kërkoi nga trupi gjykues që ta liroj nga akuzat. Tutje avokati Ragip Zeneli për të pandehurën Elheme Uka në emër të fjalës përfundimtare deklaroi se për asnjërin nga të pandehurit nuk ka veprime konkrete inkriminuese dhe të njëjtën ta liroj nga akuza.
Me qëllim të ekonomizimit të kohës pasi erdhi fundi i orarit të punës së gjykatës pjesa e mbetur e mbrojtjes përfshirë avokatja Xhevahire Kloppner për Lumnije Sopjanin, avokati Berat Tmava për Nyrtene Bajshorën, avokati Basri Morina për Sami Maqedoncin, avokati Halim Koliqi për Ndue Palushin, avokati Sylejman Nuredini për Ramadan Mavraj dhe avokati Fitim Malokaj për Vidosav Novakoviq i dorëzuan fjalët përfundimtare me shkrim.
Me këtë seancë ka prekur fundin gjykimi i rastit “Toka” ndërsa shpallja e aktgjykimit do të bëhet me datë 26 dhjetor në orën 13:00.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.
Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Ilaz Syla, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi dhe Ramadan Mavraj.
Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe N.U, Sh.M, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njëjtit është veçuar procedura. Por, gjykatësi Hoti, jashtë seancës ka bashkuar procedurën për të akuzuarin Ilaz Syla dhe Vidosav Novakovic, ku për këtë të fundit ka thënë se provat janë të ndërlidhura dhe rasti është i njëjtë.
Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.
Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.
Monitoruar nga Aulona Alaj