|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vazhdon gjykimi në rastin e njohur si ‘Veteranët’

Në Depratamentin e Krimeve të Rënda, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin e njohur si ‘Veteranët’, ku Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, akuzohen nga Prokuroria Speciale se në bashkëkryerje kanë Keqpërdorur pozitën zyrtare.

Fillimisht, Kryetari i trupit gjykues theksoi se në shqyrtimin e sotëm do të vazhdohet me administrimin e provave materiale, përkatësishtë 19.500 aplikacioneve në të cilat Prokuroria Speciale pretendon se është bërë ‘Keqpërdorimi i pozitës zyrtare’.

Prokurori Special, sa i përket provave materiale, konkretishtë prova e 19.500 aplikacioneve, theksoi se sipas kërkesës së trupit gjykues nga shqyrtimi gjyqësor i datës 01.07.2024, ku ishte vendosur që këto prova të paraqiteshin në formë elektronike konkretishtë në platformën word, tutje shtoi se Prokuroria ka bërë kategorizimin dhe listimin e tyre sipas mënyrës së përshkruar në dispozitivin e aktakuzës.

Tutje, Prokurori Special ka vazhduar me paraqitjen e provave në formë elektronike, sipas kategorizimit të bërë por i njejti theksoi se për shkak të ekonomizimit të kohës mos të lexohen të gjitha, por vetëm të shikohen sic janë precizuar në formë të personave të cilët kanë marrë pjesë në luftë me numër personal si dhe numër të aplikacionit, ndër të cilët ka pasur edhe të mitur, persona të cilët janë larguar nga lufta, si dhe një kategori me aplikacione të cilat janë të zbrazura përvec të dhënave personale, po ashtu edhe një kategori e personave të cilët gjatë kohës së luftës kishin pasur detyra tjera konkretishtë të marra nga shtabi i përgjithshëm, që i përket periudhës kohore 1997-99.

Tutje, Prokurori Special theksoi se ky kategorizim i përfshin të gjitha zonat, pra atë të:  Drenicës, Dukagjinit, Llapit, Pashtrikut, Shalës, Nerodimes, Karadakut. Në vazhdim, Prokurori Special ka bërë paraqitjen e aplikacioneve të cilat identifikohen si aplikacione të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, si dhe kategorisë së Shtabit të Përgjithshëm.

Në fund, Prokurori Special theksoi se i gjithë ky kategorizim është bërë për shkak se këto aplikacione nuk i plotësojnë kriteret që këta aplikues të jenë fitues të statusit të ‘Veteranit’, dhe kjo shifër në total arrinë numrin prej 19.500 aplikacioneve apo personave të cilët e gëzojnë statusin e Veteranit.

Mbrojtësi i të pandehurit Agim Çeku, av. Ramë Gashi theksoi se kundërshton këtë listim të provave duke theksuar se kjo nuk është një provë e re e cila mund të ndikojë në fajësin e të mbrojturit të tij, tutje ai shtoi se cdo gjë që është marrë nga zyra e komisionit nga ana e Prokurorisë është trajtuar dhe klasifikuar vetë pa pjesëmarrjen e personave kompetent përfshirë këtu edhe të pandehurit. Sa i përket shifrës së përmendur ai shtoi se është nxjerrur nga vetë Prokuroria e Shtetit, pra pa pjesëmarrjen e ndonjë organi kompetent. Në fund, ai shtoi se ky opinion i dhënë nga PSRK, për mbrojtjen është i paqëndrueshëm.

Në vazhdim, edhe mbrojtësit e tjerë theksuan se, së pari e mbështesin pretendimin e mbrojtësit Ramë Gashi tutje të njejtit shtuan se me këto prova nuk mund të vërtetohet se cila është lidhja kauzale inkriminuese me veprimet e të të pandehurve, duke shtuar se për mbrojtjen ky listim dhe kjo paraqitje është e paqëndrueshme si dhe kjo provë e propozuar është e mangët si dhe nuk paraqitet situata reale e personave të cilët kanë marrë pjesë në luftë, tutje mbrojtësit shtuan se i kundërshtojnë në tërësi këto prova.

Tutje, shqyrtimi ka vazhduar me deklarimin e të pandehurve.

Mbrojtësit e të pandehurve theksuan se në konsultim me të mbrojturit e tyre qëndrojnë në tërësi pranë deklarimeve të dhëna në gjykimin e parë si dhe deklarimeve të dhëna në Prokurori, dhe rrjedhimishtë shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore që të mbrohen në heshtje.

Ndërsa, i pandehuri Shukri Buja theksoi se dëshiron të deklarohet, dhe i njejti pas pytjeve të mbrojtësit të tij av.Fadil Jashari, ndër të tjera theksoi se tek roli i personave të mitur duhej të merrej parasysh fakti se ata persona nuk kanë pasur leternjoftime dhe nuk ka qenë e mundur të bëhej identifikimi se sa vjec janë dhe të njejtit janë përqendruar më shumë në pamjen fizike të tyre dhe rrjedhimishtë kështu i kanë pranuar në radhët e Ushtrisë.

Ndërsa nga pytjet e trupit gjykues lidhur me procesverbalet e takimeve të Komisionit Qeveritar pasi që e kanë pranuar numrin final, i pandehuri Buja theksoi se pasi e kanë pranuar këtë numër shtoi se e kanë vlerësuar se numri është rritur, dhe shtoi se ka pasur kërkesë nga Kryeministri i atëhershëm që të pranoheshin edhe aplikacionet e Ministrisë së punëve të Brendshme, dhe si rrjedhë e këtyre kërkesave ka ardhur deri tek rritja e numrit.

Në fund, i pandehuri Shukri Buja theksoi se listat është dashur të nënshkruhen nga Komandantët e zonave, pas nënshkrimit të zingjirit komandues, pastaj të njejtat kanë shkuar në Qeveri pasi kështu kishte qenë kërkesa, dhe në një mbledhje të vecantë me akt të vecantë janë aprovuar listat e Veteranëve.

Kryetari i trupit gjykues, theksoi se në shqyrtimin e radhës do të paraqitet fjala përfundimtare e palëve në procedurë.

Rasi po trajtohet nga gjyqtari Gazmend Bahtiri si kryetar i trupit gjykues dhe gjyqtarët Ngadhnjim Arrni, Kushtrim Shyti në cilësi të anëtarëve. Ndërsa, PSRK, përfaqësohet nga Prokurori Special Valdet Gashi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, me datë 16 prill 2021, kishte shpallur aktgjykim lirues në rastin “Veteranët”, ndërsa Gjykata e Apelit-Departamenti Special, me datë 21.03.2022, kishte aprovuar si të bazuar ankesën e Prokurorisë Speciale dhe kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke vendosur që lënda të kthehet në rigjykim dhe vendosje.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të datës 13 shtator 2018, e përmirësuar më datë 7 dhjetor 2018, Agim Çeku së bashku me Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Çelë Gashi, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, gjatë intervalit kohor nga data 28.10.2011 e deri me datë 30.01.2017 në Prishtinë, në objektin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’.

Të njëjtit në cilësinë e anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë bërë njohjen e statusit të Veteranit Luftëtar, personave të cilët nuk i kanë takuar kësaj kategorie.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter