|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Mbahet seanca në rastin ndaj të akuzuarve për mashtrim në detyrë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Besim Tahiraj, Abid Zariqi, Xhavit Nebihi dhe Afrim Krasniqi, të cilët akuzohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për kryerjen e veprës penale ‘Mashtrimi në detyrë’.

Në seancën e sotme u paraqitën fjalët hyrëse të palëve dhe u konstatua e lexuar aktakuza.

Në fjalën hyrëse, prokurori i shtetit Zefë Prendrecaj deklaroi se ‘janë mbledhë prova të mjaftueshme që vërtetojnë dyshimin e bazuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë, andaj gjatë shqyrtimit gjyqësor trupi gjykues do ketë rastin të dëgjoj dhe shoh dëshminë e dëshmitarëve të cilët do të dëshmojnë rrethanat se çfarë ka ndodhur në rastin konkret, për më shumë gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të dëgjohen edhe tre dëshmitarë, të cilët kanë qenë anëtarë të komisionit që kanë bërë raportin dhe vlerësimin e punimeve, se si është bërë vlerësimi dhe verifikimi i gjendjes faktike nga bazenat e feronikelit, si është bërë verifikimi komplet i ujësjellësit etj.’

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Besim Tahiraj në fjalën hyrëse të tij kërkoi nga trupi gjykues që me kujdes të dëgjojë secilin dëshmitarë dhe çdo dëshmi dhe se provat në këtë rast janë të pamjaftueshme dhe dëshmitë janë të paplota dhe nuk lidhen me veprën penale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Nebihi, avokati Imer Beka theksoi se aktakuza është në tërësi e pabazuar sa i përket të mbrojturit të tij dhe në kundërshtim me nenin 7 të KPPRK-së ku do dëshmohet gjatë dhe pas administrimit të provave dhe se i akuzuari dhe të tjerët do të shpallen të pafajshëm.

Në vazhdim në fjalën hyrëse, mbrojtësi i të akuzuarit Afrim Krasniqi, avokati Arif Hasi deklaroi se në këtë çështje ka arritur parashkrimi për veprën penale për të mbrojturin e tij dhe se ka pritur që prokurori sa i përket të mbrojturit të tij të bëjë rikualifikimin e veprës penale, pasi nuk ka të bëjë me mashtrim në detyrë, por kryerjen e pandërgjegjshme të punimeve.

Në seancën e sotme nuk ishin prezent edhe tre dëshmitarët e planifikuar të dëgjohen për sot.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me datë 13 shkurt 2025, nga ora 13:15.

Sipas aktakuzës, prej periudhës kohore të vitit 2010 e deri me datë 25 qershor 2020, të pandehurit Feriz Qorri, Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, akuzohen se si persona zyrtar, ndërsa i pandehuri Afrim Krasniqi, person përgjegjës si pronar i firmës “Vellezërit Krasniqi”, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose personin tjetër kanë bërë prezantime të rreme të raportit të llogarive, duke vu në lajthim personin e autorizuar në kryerjen e pagesës së kundërligjshme për punët të cilat nuk ishin kryer, në atë mënyre që: i pandehuri Feriz Qorri, në cilësinë e zyrtarit të Komunës së Gllogocit, si organ mbikeqyrës për menaxhimin e kontratës në realizimin e projektit “Ndërtimi i rezervarit për ujë të pijes në Kamenicë-Faza e II-të”, me numër prokurimi 611-10-167-521 ne vlerë prej 56,445.60 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e katërdhjet e pesë euro e giashtëdhjetë cent), me të cilën kontratë ishte paraparë realizimi, ndërtimi i ujësjellësit për disa fshatra nga bazenet e Feronikelit dhe atij në Kamenicë, furnizimi i 22 fshatrave në Komunë të Gllogocit, ku kompania NN, Vellezërit Krasniqi-Drenas”, me pronar Afrim Krasniqi, kanë lidhur kontratë me nr.611-10-167-521, të datës 18.11.2010, në bashkëkryerje edhe me personat zyrtar, të pandehurit Besim Tahiraj, Abit Zariqi dhe Xhavit Nebihi, në cilësine e anëtarëve të komisionit të pranimit teknik të këtij projekti, me dashje me veprimet e tyre i kanë mundësuar punëkryeresit pronarit të kompanisë N.N. “Vëllezerit Krasniqi”, të pandehurit Afrim Krasniqi, që mos ti kryej punët ashtu sic kanë qenë të specifikuara në kontratë, duke e bërë pranimin teknik, duke përpiluar raport me shkrim në të cilin thuhet se punimet teknikisht pranohen pas shiqimit të rezervuarit, dokumentacionit dhe ditarit ndërtimor, ndërsa më vonë në bazë të raportit të komisionit të formuar nga komuna e Gllogocit, për verifikim të gjendjes faktike në terren të datës 25.06.2020, me nr.01-020/04-17605, rezulton se projekti nuk është funksional, sepse gypat nuk kanë qenë të lidhur fare, si dhe trashësia e gypit të ujësjellësit nuk i përgjigjet trashësisë së gypit siç ka qenë e paraparë në kontratë, me ç’rast me një veprim të tillë Komuna e Gllogocit, është dëmtuar në vlerë prej rreth 56,445.60 (pesëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind e katërdhjet e pesë euro e giashtëdhjetë cent).

Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale ‘Mashtrimi në detyrë’ nga neni 341 par.3 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 të KPK-së.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter