Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor në rastin ku Fitim Veliqi po akuzohet për Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Rasti po trajtohet para trupit gjykues me kryetar gjyqtarin Gent Beka dhe anëtarët Medije Bytyqi dhe Adnan Kamberi.
Ani pse në seancën e fundit të mbajtur në këtë rast të pandehurit iu dha afati i caktuar për përgatitjen e provave materiale gjykimi sërish u ndërpre për të njëjtën arsyeje pasi trupi gjykues nuk e vlerësoi se provat janë përgatitur në mënyrën e duhur. Provat nuk ishin mjaftueshëm të specifikuara ku disa prej tyre u mungonin datat dhe emërtimet ndërsa disa të tjera veçse ishin pjesë e shkresave të lëndës prandaj i pandehuri kërkoi nga trupi gjykues që të i lihet afat shtesë për të përgatitur provat për administrim në mënyrë të duhur.
Trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi kërkesën e të pandehurit dhe rrjedhimisht seanca u ndërpre për të vazhduar në një datë tjetër.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 30 dhjetor 2020, Veliqi po akuzohet se në vazhdimësi nga 23 shtatori 2015 dhe 30 korriku 2016, në cilësinë inspektorit të ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se i njëjti ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Inspektoratin e Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Planifikimit Hapësinor dhe Ndërtim Nr.04/l-175 dhe Ligjin për Ndërtim Nr.04./L-110, me Udhëzimet Administrative MMPH nr. 18/2013, duke mos ndërmarrë veprime administrative juridike për objektet përgjatë brezit të autostradës “Ibrahim Rugova”.
Sipas aktit akuzues, i akuzuari Veliqi nuk ka bërë rrënimin e objektit “Viva Fresh” të pronarit Shaip Bujupi, objektin “Ana Princes” me pronar Faik Kastrati, objektin “Hajdini Palace” me pronar Xhelil Leku, objektin “Aktiv” me pronar Florim Shala. Nga mos rrënimi i këtyre objekteve pa leje, thuhet se kanë përfituar personat e lartcekur, ndërsa Komunës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 34 mijë e 176 euro.
Me këtë, Veliqi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të Kodit Penal.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga Aulona Alaj