|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Dëgjohet një dëshmitarë në rastin e njohur si ‘Subvencionet 1’ – Pjesa e Vecuar

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në rastin e të pandehurit Salih Kelmendi i cili nga Prokuroria Speciale akuzohet për veprën penale, ‘Marrja e ryshfetit’.

Shqyrtimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarit bashkëpunues A.B, i cili nga pytjet e Prokurorit të rastit ndër të tjera theksoi se, gjatë vitit 2020 kishte punuar në Komunën e Pejës në Drejtorinë e Bujqësisë dhe në atë kohë kishte pasur pozitën e Zyrtarit Administrativ. Kurse, sa i përket detyrave dhe përgjegjësive të tij kishin qenë pranimi i kërkesave të ndryshme, po ashtu theksoi se në detyrë të tij kishte qenë edhe puna me fermerë.

Tutje, dëshmitari theksoi se të pandehurin Sali Kelmendi e njeh dhe ka raport shoqëror me të si dhe pasi ishte punësuar në Komunë kishte pasur raport të mirë me të. Sa i përket vitit 2020 theksoi se Kelmendi kishte punuar në Drejtoratin e Inspekcionit.

Në vazhdim, dëshmitari theksoi se personin me emrin Bekim Shala e njeh dhe i kujtohet se kishte aplikuar për Grurë dhe Misër, tutje shtoi se për aplikimin e tij nuk kishte biseduar ndonjëherë, por më vonë ishte kontaktuar nga një Zyrtarë sa i përket personit të lartëcekur, për këtë cështje shtoi se së bashku me të pandehurin Sali Kelmendi ishin takuar me këtë person, pastaj theksoi se kishin shkuar tek lokali i personit Bekim Shala dhe me të kishin biseduar sa i përket ndërrimit të kulturës për të cilën ai e kishte kryer aplikimin.

Dëshmitari theksoi se në zyrën e tij janë takuar me Bekimin dhe Salihun dhe përmes email-it zyrtarë e kishin bërë ri-aplikimin dhe ndryshimin e kulturës, por kjo nuk kishte ndodhur në herën e parë, por në herën e dytë. Tutje, dëshmitari theksoi se gjatë bisedave me personin Bekim Shala, kishin biseduar edhe për një aplikim tjetër, pra për aplikimin e bashkëshortës së tij.

Dëshmitari theksoi se së bashku me të pandehurin Kelmendi, me personin Bekim Shala ishin takuar 4 ose 5 herë, të njejtin e kishin njoftuar përmes telefonit lidhur me daljen e parave, nga i njejti kishin pranuar para në shumën prej 92.500 euro sipas marrëveshjes që kishin pasur me të. Dëshmitari shtoi se nga e gjithë kjo marrëveshje kishte pranuar 18.530 Euro, si dhe të gjitha në fund i kishte kthyer buxhetit të shtetit.

Në vazhdim nga pytjet e mbrojtësit të të pandehurit, av. Besnik Berisha, dëshmitari theksoi se në kohën kur ishte shpallur dëshmitarë-bashkëpunues kishte qenë nën masën e arrestit shtëpiak.

Tutje, dëshmitari theksoi se personat Bekim Shala dhe Sadat Shkodra i kishte njohur më herët dhe jo ndërmjet të pandehurit Sali Kelmendi. Kurse, relacioni dhe raporti i mirë me Bekimin kishte vazhduar të bëhej i afërt në vitin 2020.

Sa i përket pjesës kur në takim kishte marrë pjesë edhe i pandehuri Sali Kelmendi, dëshmitari theksoi se arsye në këtë rast kishte qenë që të pandehurin Kelmendi e ka pasur shok dhe ka qëndruar shumë me të.

Ndërsa, lidhur me thirrjen që i kishte bërë personi Sadat Shkodra, dëshmitari theksoi se i njejti i kishte kërkuar që të takoheshin, kurse gjatë takimit në të cilin kishte marrë pjesë edhe i pandehuri Sali Kelmendi, aty ju kishte kërkuar që të bisedonin me personin Bekim Shala lidhur me ndërrimin e kulturës.

Kryetari i trupit gjykues, theksoi se pasi është afër përfundimi i orarit të punës së Gjykatës, shqyrtimi i sotëm duhet të ndërpritet dhe rrjedhimishtë pas kërkesës së mbrojtjes u anulua edhe seanca e paraparë të mbahej nesër.

Trupi gjykues që po trajton këtë rast kryesohet nga gjyqtari Kujtim Krasniqi dhe përbëhet prej anëtarëve gjyqtari Lutfi Shala dhe gjyqtari Valon Kurtaj. Ndërsa, Prokuroria Speciale përfaqësohet nga Prokurori Rafet Halimi.

Sipas aktakuzës së ndryshuar të 4 prillit 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pika e parë i ngarkon Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika, Alban Bushati dhe Salih Kelmendi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par.2 neni të KPRK-së.

Në aktakuzë thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar dhe atë, Luan Statovci – Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe Salih Kelmendi–Inspektor i Tregut në Komunën e Pejës, kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.

Në bazë të aktakuzës, fillimisht Shala më 23 korrik 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion, pas një kohe ai takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi e pastaj në Istog takohet me të akuzuarit Nika dhe Shkodra ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit kanë arritur marrëveshje që të ndryshojnë aplikimin nga kultura grurë dhe misër në bimë mjekësore aromatike, dhe më 26 gusht 2020, Shala aplikon për subvencione edhe në emër të gruas së tij Arinda Seferi për të njëjtën kulturë edhe pse ajo nuk ka pasur të mbjellë këtë kulturë dhe arrin marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tyre me vendim të formës së prerë.

Monitoruar nga Arton Hoxha

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter