Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda është shpallur aktgjykimi ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ramadan Hasani, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’.
Sipas aktgjykimit të shpallur, të akuzuarit Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha u liruan nga akuza, për shkak që nuk është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen.
Ndërsa për të akuzuarin Ramadan Hasani u shpall aktgjykim fajësues, si dhe trupi gjykues njoftoi se ka bërë rikualifikim të veprës penale nga ‘Mashtrimi’ në ‘Legalizim i përmbajtjes së rreme’.
I njëjti u dënua me 6 muaj burgim, ndërsa me pajtimin e tij dënimi me burgim mund ti zëvendësohet në dënim me gjobë në shumën prej 8 mijë euro.
I dëmtuari Milazim Rexhepi udhëzohet në kontest civil për kërkesën pasurore-juridike, sipas gjyqtarit Naser Foniqi, ndërsa i dëmtuari tjetër Musa Gashi në seancën e fundit deklaroi se nuk kërkon kompensim.
Trupi gjykues, i përbërë nga gjyqtarët Naser Foniqi, Ertan Sejfulla dhe Fatime Dërmaku në arsyetimin e aktgjykimin deklaruan se trupi njëzëri ka ardhur në përfundim se të akuzuarit Kelani dhe Berisha nuk e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen, duke u bazuar në shqyrtimin gjyqësor, dëgjimin e dëshmitarëve, të dëmtuarve. Kryetari i trupit gjykues, Foniqi, deklaroi se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale, gjegjësisht dashja dhe qëllimi, përkatësisht nuk është vërtetuar se të njëjtit me dashje kanë pasur për qëllim të shkaktojnë dëm, apo të përfitojnë diçka. Ndërsa të njëjtit nuk kanë pasur për detyrë të verifikojnë dokumentin e paraqitur si ‘Parakontratë’, e cila i ka gjitha elementet e kontratës, duke përfshirë, detyrimet, vlerën e sendit etj. Tutje, sipas trupit gjykues, për të akuzuarin Hasani është vërtetuar se i njëjti e ka ditur që është duke paraqitur dokument të falsifikuar, ndërsa nuk ka treguar gjatë shqyrtimit gjyqësor se ku e ka përpiluar dokumentin, nga kush etj.
Me aktgjykim të shpallur, anulohet vendimi i Drejtorisë së Kadastrit të Komunës së Obiliqit, i cili është nxjerrë si pasojë e një dokumenti të rremë.
Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.
Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.
Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të
vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti