|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon shqyrtimi gjyqësor në rastin ku dy zyrtarë të Komunës së Obiliqit akuzohen për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamentin për Krime të Rënda ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarve Nerimane Kelani-Sherifi dhe Arben Berisha, të akuzuar për veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’, si dhe i akuzuari Ramadan Hasani, për shkak të veprës penale ‘Mashtrimi’.

Në seancën e sotme u paraqitën fjalët përfundimtare të palëve.  

Prokurorja e rastit, Bukurije Gjonbalaj deklaroi në fjalën përfundimtare të saj se në këtë cështje penale nuk ka asgjë kontestuese, gjendja faktike vlerësohet edhe nga dëshmia e dëshmitarëve dhe provat materiale të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, duke kërkuar nga gjykata që të akuzuarit ti shpallë fajtor dhe ti dënoj sipas ligjit dhe të kihen parasysh rrethanat rënduese të parapara me nenin 38.

Ndërsa përfaqësuesi i palës së dëmtuar, deklaroi se i bashkangjitet kërkesës pasurore-juridike dhe prona të i kthehet të dëmtuarit. 

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Kelani, avokati Arbër Jupolli deklaroi se ‘nga provat e administruara nuk është vërtetuar se e mbrojtura ime ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet, në kuptimin që me provat në të cilat mbështetet aktakuza në asnjë rast nuk argumentohet fajësia e të mbrojturës sime në kuptim të dashjes së drejtpërdrejt si formë të fajësisë pra për ta kryer veprën penale e cila i vihet në barrë, por as i tejkalimit të autorizimeve zyrtare nga puna e saj e aq më pak i përfitimit apo qëllimit të dëmtimit të gjitha këto elemente të vecanta dhe bazë të veprës penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414, par.1 i KPRK-së.’

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Arben Berisha, deklaroi në fjalën përfundimtare se nuk është vërtetuar teza e akuzës, asnjëri nga dëshmitarët nuk e ka përmendur palën e tij dhe se të gjithë kanë theksuar se nuk e njohin Berishën, andaj nuk është arritur të vërtetohet kryerja e veprës penale.

I akuzuari Arben Berisha, kërkoj nga trupi gjykues që të vërtetohet pafajësia e tij në bazë të dëshmive që i kanë dhënë..

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet sot në ora 14:25.

Ndryshe sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtar, e pandehura Nerimane Kelani-Sherifi si udhëheqëse e sektorit të pronës në Komunën e Obiliqit dhe i pandehuri Arben Berisha si Drejtor i Planifikimit Urban, Pronë dhe Kadastër në Komunën e Obiliqit, në bashkëkryerje duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, ashtu që e pandehura Nerimane Kelani, ka përpiluar dhe nënshkruar Aktvendimin me të cilën e ka bërë bartjen e pronës nga pronari Xh.R, tek tani i pandehuri Ramadan Hasani, duke u bazuar në ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë”, në kundërshtim me Ligjin për themelimin e regjistrit të të drejtave të pronës së paluajtshme, ku ndër të tjera thuhet se për bartje të pronës duhet të paraqitet “Kontrata” mbi shitblerjen e patundshmërisë, dhe jo “Parakontrata”, e po të njëjtin aktvendim e ka nënshkruar edhe i pandehuri Arben Berisha, edhe pse ishte njoftuar nga e pandehura Nerimane, se aktvendimi mbi bartjen e pronës ishte marrë duke u bazuar në parakontratë, me këtë i ka shkaktuar dëme personit tjetër, në këtë rast trashëgimtarëve të të ndjerit Xh.R.

Ndërsa, i pandehuri Ramadan Hasani, akuzohet se me qëllim që vetit ti sjellë përfitim të kundërligjshëm, ka fshehur fakte, ka paraqitur fakte të rreme, me çka e ka vënë në lajthim të dëmtuarin M.G, e mashtron duke e nxitur të veproj në dëm material të pasurisë së tij, kështu që me datë 21.09.2022, ia ka shitur tokën në sipërfaqe të përgjithshme 11,034 m2, Zona Kadastrale Milloshevë- Komuna Obiliq, për blerjen e kësaj toke ia ka dhënë të pandehurit Ramadanit 2000 euro, 800 euro pas tri dite, kohë pas kohe ia ka dhënë nga 200 euro, e tjera, në total 3.250 euro, kurse marrëveshja ka qenë të paguhen 18.000 euro, e ka fshehur faktin se ” Parakontrata për shitblerjen e patundshmërisë” është e falsifikuar, me ç’rast blerësi, tani i dëmtuari M.G është vënë në lajthim lidhur me këtë fakt si dhe është dëmtuar materialisht.

Shënim: Të akuzuarit e përmendur në këtë postim konsiderohen të pafajshëm derisa të

vërtetohet fajësia e tyre me aktgjykim të formës së prerë të gjykatës.

Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter