Ministrja e Drejtwsisë, Albulena Haxhiu, bashkë me Pal Lekajn, Donika Kadaj-Bujupin dhe Besa Baftiun edhe në rigjykim janë deklaruar të pafajshëm, për rastin e futjes të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit, raporton Drejtësia Sot.
Lidhur me këtë rast, Gjykata Themelore në Prishtinë më 18 maj 2021 kishte marr aktgjykim lirues ndaj ministres Albulena Haxhiu, Pal Lekaj, Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, për rastin e futjes të gazit lotsjellës në hollin e Kuvendit.
Ndërsa pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit me 6 tetor 2022, me aktvendim e ka prishur vendimin e shkallës së parë dhe lëndën e ka kthyer në rigjykim.
Tutje, në këtë seancë pas deklarimit lidhur me fajësinë, prokurori i rastit Ilaz Beqiri si dhe të akuzuarit kanë qëndruar pranë fjalëve hyrëse të dhënë në shqyrtimin e kaluar.
Pas kësaj, gjykimi ka vazhduar me administrimin e provave material, ku prokurori Beqiri ka propozuar që si provë të administrohet vërtetimet mbi sekuestrimin e përkohshëm të sendeve dhe foto dokumentacioni për gazin lotsjellës.
Po ashtu ai ka sqaruar se vërtetimi për sekuestrimin e sendeve për Palë Lekaj, ka pas emërtim të gabuar dhe atë vërtetim për kthimin e sendeve, duke shtuar se për këtë gabim ka kërkuar raport nga zyrtari policor Destan Rukolli.
Ai ka propozuar që si dëshmitarë të dëgjohet hetuesi policor Destan Rukolli, për të sqaruar faktin se vërtetimi për sekuestrimin e sendeve për Palë Lekaj ka pas emërtim të gabuar.
Lidhur me këtë, mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Arianit Koci e ka përkrahur propozimin e Prokurorisë që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet ky hetues policor.
Tutje, ai kërkoi që të zbatohen rekomandimet e Gjykatës së Apelit, përndryshe gjykata me këto prova nuk ka mendësi tjetër veç te marr aktgjykim lirues, siç e ka marr herën e parë.
E akuzuara Kada-Bujupi nuk e ka kundërshtuar propozimin e Prokurorisë që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet hetuesi policor Rukolli.
Kada-Bujupi shtoi se prokurori nuk ka prezantuar ndonjë provë lidhur me të, duke kërkuar që i njëjti ti prezantoj provat se për çfarë e njëjta mbahet peng në këtë proces për shtatë vite, si dhe tha se nëse bëhet fjalë për armëmbajtje pa leje ka kërkuar që prokurori ta prezantoj armën.
E akuzuara Besa Baftiu ka thënë se pajtohet me vendimin e Gjykatës së Apelit, duke shtuar se me që se nuk ka prova gjykata do të merr aktgjykim lirues.
Gjithashtu edhe e akuzuara Albulena Haxhiu ka thënë se ka pritur nga prokurori Beqiri që të prezantoj provat për secilin të akuzuar veç e veç, por sipas saj nuk e bëri por ka bërë më tepër show se sa një prezantim të aktakuzës së tij.
Ajo ka deklaruar se aktakuza është e padrejtë, e pa bazuar dhe politike, si dhe tha se ka pritur që prokurori Beqiri të tërhiqet nga aktakuza, por pse nuk po e bënë nuk e ka të qartë.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku me aktvendime ka aprovuar propozimin e Prokurorisë, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet hetuesi policor Destan Rukolli.
Ajo tha se sipas detyrës zyrtare do të kërkoj ekspertizë balistike lidhur me bombolat e gazit lotsjellës, sipas rekomandimeve të Gjykatës së Apelit.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 10 shkurt 2023, ora 10:30.
Kujtojmë se, sipas aktakuzës së siguruar nga burimet e Drejtësia Sot, e cila përfaqësohet nga prokurori Ilaz Beqiri, të pandehurit akuzohen se më datë 19.02.2016, paautorizim kanë poseduar armë, përkatësisht bombola të gazit lotsjellës.
Të njëjtit këto bombola kanë arritur që ti fusin në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas pauzës së punës së Kuvendit, derisa ishin duke u kthyer në sallë për të vazhduar me punimet. Mjete këto të cilat i’u janë gjetur dhe sekuestruar nga ana e punëtorëve të sigurimit të Kuvendit gjatë kontrollës.
Me këtë secili veç e veç e kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, e dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Drejtësia Sot e ka monitoruar edhe më parë këtë rast: https://www.rolpik.org/shpallen-te-pafajshem-ministrja-haxhiu-dhe-te-tjeret-ne-rastin-per-posedim-te-gazit-lotsjelles-ne-kuvendin-e-kosoves/