|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Gjykata sërish e dënon me 15 vite burgim personin që e rrahu për vdekje gruan e tij

Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda sot ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Ilir Haxhiajt, i cili po rigjykohet nën akuzën se më 31 maj 2019, kishte sulmuar fizikisht gruan e tij në dalje të fshatit Samadrexhë.

Si pasojë e këtyre lëndimeve, e ndjera H.D., kishte pësuar dëmtime e trauma në kokë e trup, nga të cilat goditje kishte vdekur në QKUK në Prishtinë, me datë 15.06.2019.

 “Drejtësia Sot” raporton se me aktgjykimin e shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skënderi, i pandehuri Haxhiaj u dënua me 15 vite burgim efektiv, njëjtë sikurse ishte dënuar edhe në shkurt të vitit 2021.

Sipas gjyqtares Skënderi, në këtë dënim të akuzuarit Haxhiaj do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit të tij në paraburgim prej datës 01.06.2019.

Po ashtu ndaj të njëjtit u vazhdua masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Kujtojmë se fillimisht kjo gjykatë në shkurt të vitit 2021, e kishte shpallur fajtor të pandehurin Haxhiaj dhe ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 15 vitesh.

Mirëpo, Gjykata Supreme këtë rast e kishte kthyer në rigjykim me kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë të parashtruar nga ana e mbrojtjes.

Kujtojmë se sipas  aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren e cila është ngritur më 30 gusht 2019, i pandehuri Ilir Haxhiaj, i shkakton lëndime të rënda trupore personit tjetër, deri në masë të tillë sa që ka rezultuar përveç rrezikimit të jetës edhe me vdekjen e personit.

Në aktakuzë theksohet se i pandehuri, me datë 31.05.2019 rreth orës 17:30, duke drejtuar veturën e tipit “Suzuki Ëagon R+”, në dalje të fshatit Samadrexhë, ku ishte me bashkëshorten e tij, tani të ndjerën H.D., të ulur mbrapa karriges së vozitësit, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme që e kishin, fillojnë të fjalosen. Kështu, i pandehuri Ilir Haxhiaj, e ndalë automjetin në anën e djathtë të rrugës në drejtim të lëvizjes dhe viktimën me forcë e nxjerrë jashtë, fillon ta sulmojë fizikisht duke e grushtuar nëpër të gjitha pjesët e trupit.

Si pasojë e këtyre goditjeve, e ndjera H.D., pëson të dëmtime e trauma në kokë e trup, nga të cilat goditje vdes në QKUK në Prishtinë, me datë 15.06.2019.

Me këto veprime, i pandehuri Ilir Haxhiaj, ngarkohej me veprën penale lëndim i rëndë trupor me pasojë vdekjen sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter