Nën udhëheqjen e Kryesuesit Albert Zogaj, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka mbajtur sot takimin e 302 më radhë, raporton “Drejtësia Sot“.
Në këtë mbledhje, KGJK-ja ka njoftuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka ndarë buxhet në shumën prej 34 milion e 155 mijë e 572 euro, për vitin 2023.
Tutje, është thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka miratuar në tërësi disa nga kërkesat buxhetore të KGJK-së, por vetëm pjesërisht.
Në këtë mbledhje po ashtu është miratuar vendimi për klasifikimin vendeve të punës me qëllim të implementimit të Ligjit Nr. 08/L-196 për pagat në sektorin publik.
Lidhur me këtë pikë anëtarët e Këshillit kanë kërkuar që pagat e bashkëpunëtorëve profesional të jenë të nivelit të njëjtë.
Po ashtu është cekur se pagat e sistemit gjyqësor nuk mund të ulen, përveç nëse ka krizë financiare të shpallur, duke shtuar se në rast se do të ketë ulje të pagave ky ligj do të atakohet në Gjykatën Kushtetuese.
Tutje, në këtë takim, u aprovua propozimi që gjyqtari Avni Mehmeti të jetë mentor i gjyqtarëve që ndjekin trajnimin fillestar në Akademinë e Drejtësisë.
Tutje, u miratua propozimi për caktimin e zyrtarëve përgjegjës për qasje në dokumente publike, për mbrojtjen e të dhënave personale dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve në Gjykatën Komerciale.
Në takimin e sotëm është miratuar raporti lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike në sistemin gjyqësor gjatë vitit 2022, si dhe raportit lidhur me kërkesat për trajtimin e sinjalizimit në sistemin gjyqësor për vitin 2022.
Gjithashtu është miratuar propozimi për themelimin e komisionit për shqyrtim të ankesave të kandidatëve të certifikuar me parë me aktvendimin e ish-Gjykatave të Qarkut.
Ndërsa, ky takim vazhdoi me shqyrtimin e pikave të rendit të ditës të mbyllura për publikun, si shqyrtimi i kërkesës me numër 01/39, të datës 12 janar 2023, shqyrtimi i vendimit AD/GJKKP/01/2022, të datës 06.01.2023, themelimi i paneleve hetimore për tri raste disiplinore.
“Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi për mbledhjet e KGJK-së, link: https://www.rolpik.org/kgjk-miraton-rregulloren-per-zgjedhjen-e-kryetareve-te-gjykatave-dhe-disa-akte-tjera-nenligjore/