Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur takimin e radhës nën udhëheqjen e Kryesuesit Jetish Maloku, raporton “Drejtësia Sot”.
Fillimisht, në këtë takim, prokurori Arian Gashi ka dhënë betimin e tij si anëtar i ri i Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Apelit.
Prokurori Gashi, me 17 nëntor 2022, kishte fituar garën për anëtar të KPK-së nga radhët e prokurorëve të Apelit, ku si kundër kandidat kishte prokurorin Agron Bajrami.
Mandati i tij në pozitën e anëtarit të Këshillit do të jetë pesë vjeçar, pa mundësi rizgjedhjeje.
Tutje, në mbledhjen e sotme të KPK-së njëzëri është miratuar plani vjetor i punës së këtij institucioni për vitin 2023, i cili u tha se përmban 24 objektiva kryesore të punës.
Tutje, si pikë kryesore e rendit të ditës ka qenë propozimi për klasifikimin e pozitave sipas Ligjit të pagave në sektorin publik.
Sipas këtij propozimi, pozitat drejtuese janë ndarë në tri nivele: niveli i lartë drejtues, niveli i mesëm drejtues dhe niveli i ulët drejtues, kurse pozitat e zyrtarëve janë ndarë në tri pozita: pozita një, dy dhe tre.
Ky propozim pas vërejtjeve dhe komenteve nga anëtarët e Këshillit lidhur me koeficientin e disa pozitave, është miratuar me nëntë vota për dhe një abstenim.
Në këtë mbledhje është miratuar edhe plani vjetor i komisionit për vlerësimin e performancës së prokurorëve për vitin 2023, me nëntë vota për dhe një abstenim.
Si pikë tjetër e rendit të ditës që është miratuar nga anëtarët e Këshillit është protokolli për trajtim të detyrueshëm të prokurorëve me performancë të dobët.
Po ashtu është miratuar edhe kërkesa e panelit hetimor që të vazhdohet afati për zhvillimin e hetimeve në një rast disiplinor.
Gjithashtu, në këtë takim është miratuar edhe procesverbali i takimit të 225-të të Këshillit.
Kurse, propozimi për avancimin e pesë prokurorëve në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është vendosur që të trajtohet në takimin e radhës, pas një analize përkitazi me lëndët.
Ndërsa, takimi ka vazhduar me trajtimin e disa pikave tjera të mbyllura për publikun.
GLPS/Drejtësia Sot raporton në vazhdimësi lidhur me takimet e KPK-së, link: https://www.rolpik.org/kpk-ja-i-kerkon-sqarim-presidentes-per-mos-dekretimin-e-nje-prokurori/