Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për “Drejtësia Sot” se më 15 qershor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendësministres Liza Gashi.
Në konfirmimin e Prokurorisë bëhet e ditur se ndaj Liza Gashit, që mban pozitën e zëvendësministres në Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ekziston dyshimi i bazuar se nuk ka bërë raportim të pasurisë siç parashihet me ligj.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, konfirmoi për “Drejtësia Sot” se aktakuza ndaj zëvendësministres Gashi është ngritur më 15 qershor 2022, dhe lidhur me këto dyshime janë zhvilluar hetime nga ana e Prokurorisë.
Në këtë aktakuzë, zëvendësministres Gashi i vihet në barrë vepra penale “Mos raportim të pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Varësisht nga format në të cilat është kryer kjo vepër penale, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh që ndaj kryesve mund të shqiptohet dënim me gjobë ose me burgim deri në 5 vite./Drejtësia Sot