Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të saj ka njoftuar se në nivel vendi janë raportuar katër raste të dhunës në familje.
Këto raste janë raportuar nga Drejtoria Rajonale në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe Gjakovë.
Nga këto raste, katër persona janë evidentuar si të dyshuar, ku tre prej tyre janë arrestuar ndërsa dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Rasti i parë i raportuar është në Lipjan, ku ankuesja femër kosovare ka njoftuar se pas një mosmarrëveshje ishte sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa pas intervistimit me vendim të prokurorit rasti ka vazhduar në procedurë të rregullt.
Kurse, Policia e Prizrenit bën të ditur se ka arrestuar një person pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Lidhur me rastin e dhunës në familje të raportuar në Pejë, Policia njofton se dje ka arrestuar një mashkull kosovar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti i katërt dhe i fundit i raportuar në këto 24 orë dyshohet se ka ndodhur në Gjakovë, ku nga të dhënat e Policisë bëhet e ditur se është arrestuar një mashkull, pasi i njëjti nën ndikim të alkoolit ka kanosur viktimat kosovarë.
Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë./Drejtësia Sot