|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Këta janë kandidatët për kryetar të Gjykatës Supreme

Gjyqtarët Mejreme Memaj dhe Fejzullah Rexhepi janë dy kandidatët që kanë aplikuar për pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Lajmi për “Drejtësia Sot” është konfirmuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), i cili ka bërë të ditur se për këtë pozitë kanë aplikuar vetëm këta dy gjyqtarë.

Ndërsa, në ditët në vazhdim pritet që komisioni përzgjedhës të bëj konfirmimin zyrtar nëse gjyqtarët Memaj dhe Rexhepi i plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për kryetar të Gjykatës Supreme.

Kujtojmë që nga data 14 dhjetor 2022, detyrën e kryetarit të Supremes është duke u ushtruar nga gjyqtarja Memaj, e cila është një nga kandidatët që synon të jetë në krye të kësaj gjykate, pas dorëheqjes së ish-kryetarit, Enver Peci.

Me dorëheqjen e ish-kryetarit, Enver Peci, KGJK kishte marr vendimin që nga data 27 dhjetor 2022 e deri më 12 janar 2023, të shpallej konkursi për kryetar të instancës më të lartë gjyqësore në vend.

Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kryetarin e Gjykatës Supreme e emëron dhe shkarkon Presidenti i Kosovës, pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Kryetari zgjidhet nga radhët e gjyqtarëve te Gjykatës Supreme, për mandat shtatëvjeçar, pa mundësi të riemërimit.

Për t’u zgjedhur Kryetar i Gjykatës Supreme, kandidati duhet të të jetë gjyqtar me mandat të përhershëm, të mos ketë sanksion disiplinor me vendim të formës së prerë, përjashtimisht masën vërejtje jo publike me shkrim, të mos ketë aktakuzë të konfirmuar për ndonjë vepër penale, përveç veprave penale të kryera nga pakujdesia dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale me vendim të formës se prerë, përveç veprave penale të kryera nga pakujdesia.

Po ashtu, konkursi parasheh si kriter që kandidati të ketë së paku shkallë vlerësimi të performancës “shumë mirë”.

Kandidati për Kryetar të Gjykatës Supreme përveç profesionalizmit dhe kualifikimeve për kryerjen e funksionit, duhet të ketë aftësi dhe njohuri në kryerjen e punëve të udhëheqjes dhe organizimit brenda gjykatës.

Kështu, kandidati kërkohet të ketë njohuri rreth punëve të administratës gjyqësore, të qenit kreativ në punë duke lehtësuar punën e gjykatës, komunikimin korrekt me palë dhe kolegë brenda gjykatës dhe gatishmërinë për bashkëpunim me organizata dhe institucione tjera.

Vlerësimi i këtyre kritereve të kandidatëve për Kryetar të Supremes bëhet përmes intervistës me gojë që do të realizohet nga Komisioni i përbërë nga Qerim Ademaj – kryesues, anëtarët Vilard Bytyqi dhe Arjeta Sadiku, si dhe anëtari rezervë, Fahret Vellija.

Përveç këtyre kritereve, Komisioni do të vlerësoj edhe koncept dokumentin me shkrim të dorëzuar nga kandidati, trajnimet e specializuara, përvojën menaxheriale, vlerësimin e performancës dhe reputacionin të cilin kandidati gëzon nga ana e kolegëve gjyqtarë.

Koncept dokumenti tregon vizionin e kandidatit për mënyrën e menaxhimit të gjykatës si dhe ngritjes së efikasitetit në bazë të resurseve ekzistuese, i cili duhet të ketë jo më pak se tre (3) dhe jo më shumë se shtatë (7) faqe.

Pas përfundimit të intervistave, Komisioni do t’i propozojë KGJK-së për votim kandidatët e suksesshëm dhe kandidati që fiton shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit i propozohet Presidentes për emërim në pozitën e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës.

Drejtësia Sot” raporton në vazhdimësi lidhur me konkursin për Kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, link: https://www.rolpik.org/shpallet-konkursi-per-kryetar-te-gjykates-supreme-te-kosoves/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter