|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Kandidatët serb tërhiqen nga konkursi për gjyqtarë të gjykatave themelore

Katër kandidatë serb kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga konkursi për 37 gjyqtarë të gjykatave themelore.

Lajmin për “Drejtësia Sot” e ka konfirmuar Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj, që njëkohësisht është edhe kryetar i Komisionit Rekrutues.

Kryesuesi Zogaj shtoi se me këta katër kandidatë është komunikuar përmes e-mailit, ku edhe kanë paraqitur dorëheqjet e tyre nga ky proces rekrutimi.

Tutje, ai tha se njëri nga katër kandidatët serb ka kërkuar që intervista të shtyhet deri në përmirësimin e gjendjes politike.

Kujtojmë që dorëheqjet e kandidatëve serb për gjyqtarë vijnë pas dorëheqjeve të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb që ishin të angazhuar në gjykatën dhe prokurorinë themelore në Mitrovicë.

Kësisoj, në fillim të muajit nëntor të vitit të kaluar, rreth 25 gjyqtarë, 10 prokurorë dhe stafi administrative serb i Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës i kanë deponuar dorëheqjet e tyre nga këto pozita.

Dorëheqjet e tyre erdhën si rezultat i suspendimit të drejtorit rajonal të policisë në veri, Nenad Gjuriq, i cili kishte refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë sa i përket targave.

Ndryshe, në konkursin për 37 gjyqtarë të gjykatave themelore, KGJK kishte vendosur që shtatë nga këto pozita të jenë të rezervuara për kandidatët e komunitetit serb.

Pas përfundimit të fazës së testimit kualifikues dhe atij me shkrim, gjithsej 62 kandidatë kishin arritur në fazën e intervistimit, ku katër nga ta janë kandidatët e komunitetit serb që u tërhiqen nga ky proces rekrutues.

Intervistimi i kandidatëve për gjyqtarë të gjykatave themelore ka filluar me 12 janar dhe pritet që të përfundojë gjatë ditës së sotme.

GLPS/Drejtësia Sot ka monitoruar tërë fazën e intervistimit të kandidatëve dhe ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë konkurs, link: https://www.rolpik.org/vazhdon-intervistimi-i-kandidateve-per-gjyqtare-te-gjykatave-themelore/

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter