|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shtyhet gjykimi në rastin ku ish-kryeshefi i KPM-së akuzohet për korrupsion

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është shtyrë seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, i akuzuar për marrje ryshfeti.

“Drejtësia Sot” raporton se Luan Latifi, në cilësinë e kryeshefit të KPM-së, akuzohet se ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet prej 8 mijë euro nga pronari i kompanisë “TelKos”, Elhami Haziri.

Në shqyrtimin e sotëm gjyqësor, fillimisht u vazhdua me administrimin e provave materiale, ndër të cilat nga prokuroria janë propozuar audio-inçizime dhe video-inçizime të bisedave mes Elhami Hazirit, Luan Latifit dhe Arben Bilalli, i cili po ashtu ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Prokurorja e rastit, Merrushe Llugiqi, deklaroi se në këto inçizime vërehet dorëzimi i 8 mijë eurove nga Elhami Haziri tek Arben Bilalli, dhe sipas saj është me rëndësi momenti kur Arben Bilalli kontakton me Luan Latifin për ta njoftuar se paratë janë pranuar.

Lidhur me audio-inçizimet, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Alban Ajvazi kërkoi nga prokurorja e rastit që të precizohen minutat e sakta të bisedës ku inkriminohet i akuzuari me vepër penale.

Për këtë precizim prokurorja e çështjes deklaroi se i nevojitej kohë andaj edhe gjykata seancën e shtyu për datë 23.02.2023.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Luan Latifi po akuzohet se në cilësinë e kryeshefit të KPM-së, ka kërkuar dhe ka marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga pronari i kompanisë “TelKos”, Elhami Haziri.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Latifi këtë e ka bërë për mos shqiptimit të gjobës ndaj kompanisë “TelKos”, pasi që kjo e fundit kishte bërë shtrirje të rrjetit në disa vende pa e njoftuar KPM-në.

Në këtë rast i përfshirë ka qenë edhe Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, i cili e kishte pranuar fajësinë për këtë vepër dhe ishte dënuar me dënim 140 ditë burgim, 12,000 euro gjobë dhe si dënim plotësues ndalimi i ushtrimit në funksionet publike në afat prej 3 viteve.

Arben Bilalli ishte akuzuar se në qershor të vitit 2021, kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet në emër të Luan Latifit, nga pronarët e kompanisë “TelKos”, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli.

Prokuroria në aktakuzë pretendon se Haziri kishte thënë se nuk e kishte këtë shumë ashtu që të njëjtit janë merr vesh që të japin 10 mijë euro. Për këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari Bilalli kishte njoftuar Latifin ku ky i fundit më pas është takuar me të dëmtuarin Haziri në një restorant në Gjilan.

Në këtë restorant, në aktakuzë përshkruhet se Haziri, nën vëzhgimin e policisë, i kishte dhënë Bilallit 8000 euro dhe ka kërkuar nga ai që të kontaktoj të akuzuarin Latifi.

Tutje, sipas aktit akuzues, i akuzuari Bilalli në prezencë të të dëmtuarit Haziri e kishte telefonuar të akuzuarin Latifi duke i thënë “Kreva punë dhe tash po eci”./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter