Komisioni Rekrutues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) sot ka përfunduar të gjitha intervistat me kandidatët që synojnë njërën nga 37 pozitat për gjyqtarë të gjykatave themelore.
“Drejtësia Sot” raporton se procesi i intervistimit të kandidatëve për gjyqtarë ka filluar më 12 janar 2023 dhe i njëjti ka përfunduar sot më 30 janar 2023.
Rezultatet preliminare të kandidatëve më të suksesshëm pritet të shpallen ditën e mërkurë, më 1 shkurt 2023.
Këtë lajm për “Drejtësia Sot” e ka konfirmuar kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, i cili njëkohësisht është edhe kryesues i komisionit rekrutues.
Kujtojmë që në fazën e intervistimit dhe esesë kishin arritur 62 kandidatë, mirëpo tetë prej tyre janë tërhequr në këtë fazë të procesit rekrutues.
Në kuadër të kandidatëve të tërhequr bëjnë pjesë katër kandidatët e komunitetit serb dhe katër kandidatë të tjerë që janë përzgjedhur në pozitën e prokurorit të shtetit.
Në konkursin për rekrutimin e tridhjetë e shtatë (37) gjyqtarëve, shtatë (7) pozita janë të rezervuara për kandidatët e komunitetit serb.
GLPS/Drejtësia Sot ka monitoruar dhe ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë konkurs, link: https://www.rolpik.org/kandidatet-serb-terhiqen-nga-konkursi-per-gjyqtare-te-gjykatave-themelore/