Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka vazhduar gjykimi ndaj ish-gjyqtarit Sali Berisha, i akuzuar për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje.
“Drejtësia Sot” raporton se ish –gjyqtari Berisha në seancën e sotme ka dhënë mbrojtjen e tij.
I akuzuari Berisha ka deklaruar se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij nga policia, ku janë gjetur të hollat në vlerë prej 10 mijë euro dhe një revole, ai nuk ka qenë i pranishëm, kurse procesverbalin e bastisjes e ka nënshkruar sa ishte në stacionin policor në Pejë.
Sa i përket revoles, i njëjti ka thënë se nuk është e tij dhe se po të kishte nevojë për revole si gjyqtar pa asnjë problem mund të merr leje për armë.
Kurse sa i përket zarfit me të holla në vlerë prej 10 mijë euro, kanë qenë të motrës së bashkëshortes së tij, Time Thaçit.
Ish-gjyqtari Berisha, lidhur me ndarjen e lëndëve gjatë punës së tij si gjyqtar, ka thënë se e njëjta është bërë nga kryetari i gjykatës sipas radhës apo shortit.
Kurse lidhur me propozimin për paraburgimin e Muhamet Zekaj të cilin ky gjyqtar e kishte refuzuar, duke caktuar masën e dorëzanisë, ka thënë se ky rast nuk është i vetmi, madje ndaj këtij vendimi nuk është ushtruar fare ankesë.
“Vendimin në fjalë e ka hartuar bashkëpunëtori profesional, e jo ai”, ka shtuar tutje ish–gjyqtari Berisha.
I njëjti ka thënë se prokurorja Valbona Disha Haxhosaj ka qenë e përfshirë në rastin e Muhamet Zekaj, kjo pasi që e njëjta ka parashtruar kërkesën për paraburgimin e tij.
Kujtojmë se sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga prokurori Dren Paca, ish-gjyqtari Sali Berisha akuzohet se si person zyrtar ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga dëshmitari F.Z., në mënyrë që të shqiptoj një dënim më të favorshëm për një çështje penale ku i akuzuar ishte vëllau i tij.
Aktakuza më tutje sqaron se pas takimit që kishte me dëshmitarin F.Z. në një nga kafiteritë e qytetit të Pejës, ish-gjyqtari Berisha kishte shkuar tek vetura e dëshmitarit ku kishte pranuar shumën prej 2000 eurove dhe pas dakordimit me të, si kryetar i trupit gjykues kishte marrë aktgjykim me të cilin vëllait të dëshmitarit i kishte shqiptuar dënim me kusht për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.
Po ashtu kjo aktakuzë e ngarkon Berishën edhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, për arsye se me rastin e bastisjes në vendbanimin e tij iu është gjetur një revole me 10 fishekë, të cilën e posedonte pa leje të organeve kompetente./Drejtësia Sot