|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Përfundon procedura disiplinore ndaj gjyqtarëve Riza Livoreka dhe Lindita Jakupi

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimet disiplinore për gjyqtarin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega Kaçanik, Riza Livoreka, dhe gjyqtares në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Lindita Jakupi.

Referuar këtyre dy vendimeve, “Drejtësia Sot” raporton se dy gjyqtarët që ishin subjekt i hetimit disiplinor nuk janë gjetur përgjegjës për shkeljet disiplinore të pretenduara nga kryetarët e gjykatave përkatëse (Autoriteti Kompetent).

Sa i përket gjyqtarit Livoreka, procedura disiplinore ndaj tij kishte filluar me pretendimet se ai ka kryer këto shkelje disiplinore:  nuk raporton rastet e përjashtimit të mundshëm nga procedura kur kërkohet me ligj, dhe përfshihet në sjellje, qoftë kur është në detyrë apo privatisht, të cilat dëmtojnë reputacionin e gjykatës ose mund të dëmtoj besimin e publikut në paanshmërinë ose besueshmërinë e gjyqësorit.

Këto pretendime nga ana e Autoritetit Kompetent ishin pjesë e kërkesës së datës 23 maj 2022, për zgjerim të hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Livoreka, lidhur me video filmimet e publikuara në media e që ngritën dyshime të mëdha në trajtimin e një lënde të natyrës pronësore.

Kësisoj, Autoriteti Kompetent dhe pala ankuese pretendonin se në hetimin disiplinor paraprak, KGJK nuk kishte trajtuar edhe disa shkelje të tjera disiplinore që pretendohet se i kishte kryer gjyqtari Livoreka e që shihen në filmimet ku ai mban takim me palën e paditur dhe kërkon të lidh marrëveshje, në të kundërtën do t’ia merrte pronën.

Lidhur me këto veprime, KGJK më datë 20 prill 2022, e kishte gjetur përgjegjës gjyqtarin Livoreka dhe i kishte shqiptuar masën disiplinore ulje e pagës për 40% në periudhë kohore prej 10 muajsh.

Por, pas trajtimit të pretendimeve të reja nga Autoriteti Kompetent dhe pala ankuese, KGJK më 3 nëntor 2022, mori vendim më të cilin gjyqtari Livoreka u lirua nga përgjegjësia disiplinore për shkeljet e tjera që pretendoheshin nga palët iniciuese.

Kësisoj, KGJK-ja lidhur me pretendimin për mosraportim të përjashtimit të mundshëm të gjyqtarit nga procedura kur kërkohet me ligj, ka konsideruar se mosveprimi i tillë nga ana e gjyqtarit Livoreka nuk përbën bazë për shqiptimin e ndonjë mase disiplinore, për shkak se vajza e tij është angazhuar si praktikante te avokatja e palës paditëse përmes Odës së Avokatëve.

Kurse, lidhur me pretendimin se gjyqtari Livoreka ishte përfshirë në sjellje që e dëmtojnë besimin e publikut në gjyqësor, KGJK përmend faktin se ndarja e lëndëve bëhet në mënyre automatike përmes sistemit për menaxhimin e lëndëve – SMIL, dhe se ndarja e lëndës në fjale nuk është bërë me preferenca apo çfarëdo ndikimi nga ana e gjyqtarit.

Vendimin e plotë lidhur me çështjen disiplinore ndaj gjyqtarit Livoreka e gjeni duke klikuar KËTU:

Gjithashtu, më 3 nëntor 2022, KGJK ka përfunduar procedurën disiplinore edhe ndaj gjyqtares Lindita Jakupi, e cila pretendohej se ka kryer shkeljen disiplinore “Ndërhyn në veprimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve të tjerë me qëllim të ndikimit në aktivitetet dhe vendimet e tyre në çfarëdo mënyre të ndaluar me ligj”.

Sipas Autoritetit Kompetent, gjyqtarja në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Lindita Jakupi ka kryer shkeljen e lartcekur disiplinore pasi që ka shoqëruar vëllain e saj, i cili akuzohet për vepër penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, me çka ka ndikuar apo ka mundur të ndikoj në vendimin e gjyqtarit të Departamentit të Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe të prokurorit të rastit, lidhur me masën e arrestit shtëpiak të shqiptuar ndaj tij.

Lidhur me këto pretendime, KGJK thekson se pas administrimit të të gjitha provave, nuk është vërtetuar se subjekti i hetimit, gjyqtarja Lindita Jakupi, me datë 15 qershor 2022, e ka shoqëruar vëllain e saj nga shtëpia e të njëjtit për në Prokurorinë Themelore në Prishtine.

Me këtë rast, Këshilli ka vlerësuar se pretendimet e ankuesit dhe te Autoritetit Kompetent lidhur me shkeljen disiplinore te gjyqtares Jakupi nuk janë provuar, andaj, në mungesë të fakteve të provuara është gjetur se subjekti i hetimit nuk është përgjegjës për shkeljen e pretenduar disiplinore.

Vendimin e plotë lidhur me çështjen disiplinore ndaj gjyqtares Lindita Jakupi e gjeni duke klikuar KËTU

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter