Policia e Kosovës në raportin 24 orësh të saj ka bërë të ditur se janë arrestuar gjashtë persona të dyshuar për dhunë në familje, raporton “Drejtësia Sot”
Këta persona janë arrestuar nga pesë rastet e dhunës në familje që janë raportuar nga Drejtoritë Rajonale të Policisë në Prishtinë, Gjilan dhe në Pejë.
Lidhur me të arrestuarit, Policia bën të ditur se katër prej tyre janë dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt.
Sa i përket rastit të raportuar në Prishtinë, Policia njofton se ka arrestuar një grua që dyshohet se kishte sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar.
Kurse, Policia në Gjilan ka iniciuar një rast si “Dhunë në familje” dhe “Lëndim i lehtë trupor”, në të cilin ka arrestuar një person nën dyshimin se i kishte shkaktuar lëndime trupore një familjari të tij
Rasti tjetër i raportuar në Gjilan ka të bëj me arrestimin e një personi që dyshohet se me thikë kishte kanosur familjaren e tij. Policia njofton se thika është sekuestruar ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Gjatë 24 orëve të fundit, dy raste të dhunës në familje janë raportuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
Në rastin e parë, Policia njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë psikike ndaj dy viktimave një femër dhe një mashkull kosovar.
Me vendim të prokurorit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërsa në rastin e dytë, Policia ka arrestuar dy persona, një femër dhe një mashkull, të cilët pas një mosmarrëveshje ishin përleshur në mes vete.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje ndërsa e dyshuara është liruar në procedurë të rregullt./Drejtësia Sot