|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Rasti “Ukë Rugova 2” – Dëshmitari deklaron se ka paguar katër mijë euro për një vizë shengen

Në rastin e njohur si “Ukë Rugova 2”, të mërkurën janë dëgjuar tre dëshmitarë, të cilët kanë deklaruar rreth marrjes së vizave shengen.

Drejtësia sot”, raporton se dëshminë e tyre dëshmitarët A.G., A.A. dhe Xh.L., e kanë dhënë pranë Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në gjykimin që po udhëhiqet nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi.

Dëshmitari A.A. duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores speciale Florije Shamolli ka thënë se të akuzuarit Haxhi Islami i kishte paguar shumën prej katër mijë euro për një vizë italiane.

Tutje, ai tha se për marrjen e vizës italiane fillimisht kishte biseduar me të akuzuarin Haxhi Islami, e i cili i kishte thënë se mund të ia siguroj një vizë pasi ka të njohshëm në Ambasadën Italiane.

Si dhe në fund të deklarimit, dëshmitari A.A. ka thënë se ndjehet i dëmtuar pasi kishte paguar katër mijë euro për një vizë me kohëzgjatje prej gjashtë muajve, ndërsa kishte marrë vizë vetëm për një muaj.

Tutje, gjatë këtij gjykimi është dëgjuar edhe dëshmitari A.G., i cili ka deklaruar se përmes shokut të tij ishte takuar me një person të cilit ia kishte dhënë pasaportën dhe pastaj e kishte marrë vizën.

Ai tha se fillimisht kishte paguar një mijë euro për shpenzimet që kanë të bëjnë me sigurimet shëndetësore e të tjera, ndërsa nuk iu është kujtuar saktë shuma sa kishte paguar më pastaj.

Ai tha se këtë vizë italiane e kishte marrë për shkak të gjendjes ekonomike dhe dëshirën për të emigruar.

Në këtë seancë është dëgjuar edhe dëshmitari Xh.L., i cili ka deklaruar se pasi kishte dëgjuar se në një lokalë në Prishtinë po jepen viza shengen, ai kishte shkuar aty, ishte takuar me të akuzuarin Ragip Gashi.

Ai shtoi se i akuzuari Ragip Gashi i kishte thënë se nëse i del viza, duhet të jepte një shpërblim, por sipas tij vizën nuk e kishte marrë, dhe pasaporta iu ishte kthyer.

Pasi në këtë seancë kanë munguar disa dëshmitarë, gjykimi është ndërprerë, ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet më 28 shkurt 2023, ora 9:30.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, në rastin “Ukë Rugova 2” akuzohen Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri, Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Dritëro Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.

Prokuroria pretendon se 15 të akuzuarit kishin vepruar si grup kriminal bashkë me Ukë Rugovën dhe të tjerët, duke pajisur kundërligjshëm një numër të madh të qytetarëve me viza shengen.

Sipas aktakuzës, Ukë Rugova nga maji 2011 deri në shkurt 2014 ishte drejtues këtij grupi kriminal dhe gjatë kësaj periudhe kohore ka qenë deputet i Kuvendit të Kosovës./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter