|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Tensionet në Veri – Arrestohen dy qytetarë serb për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh ka dhënë detaje lidhur me veprimet që janë ndërmarrë sa i përket situatës së tensionuar në komunat veriore të Kosovës.

Sipas raportit, gjatë ditës së djeshme disa persona të nacionalitetit serb janë arrestuar për shkak të dyshimit se kanë qenë të përfshirë në sulme ekstreme të dhunshme me mjete shpërthyese ndaj ushtarëve të KFOR-it, policisë dhe gazetarëve.

Ndërsa, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dy nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Veprimet e tyre janë kualifikuar si vepra penale “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryejnë vepër penale dhe huliganizëm”. 

Kurse lidhur me të dyshuarit e tjerë, bëhet e ditur se të njëjtit janë liruar në procedurë të rregullt.

​Po ashtu, gjatë protestës së ditës së djeshme janë raportuar edhe disa raste të cilësuara si nxitje e përçarjes dhe mosdurimit dhe asgjësim apo dëmtim prone.

Sipas Policisë, ankuesja femër kosovare, ka raportuar se derisa ka qenë duke filmuar protestën në Zveçan, kur janë kthyer tek automjeti i tyre kanë vërejtur se u është hequr targa nga automjeti dhe me sprej kanë shkruar katër S, dhe në parafango është hedhur ngjyrë.

Kurse në Leposaviq, ankuesit kosovarë kanë raportuar se në automjetet e mediave kanë gjetur të shkruar simbole nacionale serbe katër S, goma të dëmtuara si dhe ngjyrë të kuqe.

Së fundi, një rast i tillë është raportuar edhe në Zubin Potok, ku thuhet se në afërsi të qytetit është djegur një automjet që dyshohet se është djegur nga protestuesit që kanë marrë pjesë në Zubin Potok.

Policia e Kosovës njofton se rastet e lartcekura janë duke u hetuar nga njësitet relevante policore.

Ndryshe, protestat e dhunshme nga qytetarët serb që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan) filluan pas vendosjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale.

Përveç sulmeve ndaj policëve kosovar dhe gazetarëve, nga sulmet e protestuesve kanë mbetur të lënduar edhe 30 ushtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter