|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Vetëm një gjyqtar serb aplikon për anëtar të KGJK-së

Vetëm një gjyqtar serb ka aplikuar në konkursin për anëtar të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të shpallur nga Kuvendi i Kosovës.

Lajmi për “Drejtësia Sot” është konfirmuar nga Kuvendi i Kosovës, të cilët për këtë konkurs kanë deklaruar se deri më 17.05.2023, nuk ka aplikuar asnjë kandidat ndërsa në afatin e pritjes me postë e kanë pranuar një aplikacion.

Ndryshe, konkursi për një anëtar të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve serb fillimisht ishte shpallur nga Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, më 1 mars 2023, e më pas ishte rishpallur më 28 prill 2023.

Të drejtë aplikimi për këtë pozitë kishin të gjithë kandidatët serb që janë gjyqtarë me mandat të përhershëm dhe që nuk kanë të shqiptuar ndonjë masë disiplinore.

Në rast se ka dy apo më shumë kandidatë që i plotësojnë kushtet për këtë pozitë atëherë planifikohet të mbahet faza e intervistimit pranë Komisionit për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës.

Më pas, dy nga kandidatët më të suksesshëm do të procedohen në Kuvend për votim, dhe konsiderohet i zgjedhur kandidati që merr shumicën e votave nga deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë.

Më këtë rast, kandidati i votuar emërohet anëtar i KGJK-së për një mandat 5 vjeçar.

Pozita e lirë e një anëtari të KGJK-së nga radhët e gjyqtarëve serb kishte mbetur e lirë pasi që Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës më 22 shkurt 2023, kishte aprovuar dorëheqjen e ish-anëtarit Nikolla Kabashiq.

Përveç Kabashiqit, dorëheqje nga pozitat e tyre në nëntor të vitit të kaluar i kanë dorëzuar 25 gjyqtarë e 119 zyrtarë të stafit administrativ nga komuniteti serb që kanë qenë të angazhuar në kuadër të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Një situatë e tillë e dorëheqjeve ishte paraqitur edhe në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Lidhur me dorëheqjen e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serb, deri më tani, as Këshilli Gjyqësor e as ai Prokurorial nuk ka vendosur për aprovimin apo refuzimin e tyre.

Këto institucione arsyetohen se mos vendosja lidhur me këto dorëheqje ka të bëj me faktin se janë duke u zhvilluar hetime e procedura disiplinore për shkak të pjesëmarrjes së disave prej tyre në aktivitete politike./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter