|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Departamenti Amerikan kritikoi mungesën e epilogut të rastit, në qershor shpallet aktgjykimi ndaj ish-ministrit Rikallo

Këtë vit, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) në raportin për të Drejtat e Njeriut kishte vënë në fokus mungesën e epilogut në gjykimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Nenad Rikallo, dhe zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie.

Sipas raportit të DASH-it, as në vitin 2022, gjykata nuk kishte arritur t’i jap epilog çështjes penale ndaj Rikallos dhe të tjerëve pavarësisht se aktakuza ndaj tyre ishte ngritur në dhjetor të vitin 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në aktin akuzues pretendon se ish-ministri Rikallo së bashku me Kapllan Halimin, Shefki Zeqirin, Ekrem Gjoken, Shkëlzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin, kundërligjshëm kishin dhënë grante në shumën rreth 3.4 milion euro.

Lidhur me këtë rast, “Drejtësia Sot” raporton se trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Mentor Bajraktari, Suzana Qerkini dhe Violeta Namani, ka vendosur që shpallja e aktgjykimit ndaj tetë të akuzuarve të bëhet më datë 1 qershor 2023, nga ora 09:00.

Ky lajm u bë i ditur gjatë seancës së djeshme në të cilën u paraqiten fjalët përfundimtare të palëve në këtë çështje penale.

Fillimisht, fjalën përfundimtare e ka paraqitur prokurorja speciale Habibe Salihi, e cila theksoi se me administrimin e provave materiale dhe personale në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se të pandehurit janë fajtorë për veprat me të cilat ngarkohen.

Së fundmi prokurorja Salihi gjykatës i propozoi që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të njëjtëve t’i shqiptoj dënimin e merituar.

Tutje, fjalën përfundimtare paraqitën edhe mbrojtësit e të pandehurve, ndër të cilët mbrojtësi i ish-ministrit Rikallo, avokati Miodrag Brkljaq tha se kishte menduar që prokurorja e rastit do të heqë dorë nga aktakuza.

Ai tutje vazhdoi duke e dorëzuar fjalën e tij përfundimtare me shkrim të cilën e elaboroi gojarisht dhe kërkoi nga gjykata që të njëjtën ta përkthej e më pas të sjellë vendimin.

Fjalën e mbrojtësit të tij, e mbështeti ish-ministri Rikallo, si dhe shtoi se rasti në fjalë është specifik dhe sipas tij, nëse vërtetohet aktakuza, mund të ketë pasoja për Qeverinë.

Kjo, sipas Rikallos, mund të ndodhë në atë mënyrë që të gjithë ministrat të cilët kanë sjellë programe të veçanta, ose edhe ata që kanë dëshirë të sjellin programe të reja do të jenë të kufizuar seriozisht.

Mbrojtësit e tjerë, në fjalën e tyre përfundimtare i propozuan gjykatës që ndaj të pandehurve gjykata të sjellë aktgjykim lirues.

Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me shtatë zyrtarët Kapllan Halimin, Shefki Zeqirin, Ekrem Gjoken, Shkëlzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Aktakuza thotë se të akuzuarit në bashkëveprim buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 3.4 milion euro./E.T/Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter