Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-ministrit së Bujqësise, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, duke e dënuar të njëjtin me tri vite burgim.
Ish-ministri Rikallo dhe shtatë zyrtarë të tjerë akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se kundërligjshëm kishin dhënë grante në shumën rreth 3.4 milion euro.
“Drejtësia Sot” raporton se shpallja është bërë nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Mentor Bajraktari, Violeta Namani dhe Suzana Çerkini.
Po ashtu, fajtor në këtë çështje penale u shpall edhe i akuzuari Kapllan Halimi, të cilit gjykata i shqiptoi dënim me dy vite e gjashtë muaj burgim.
Përveç dënimit kryesor, ndaj të akuzuarit Rikallo dhe Halimi gjykata shqiptoi edhe dënim plotësues të ndalimit të ushtrimit të funksionit në administratën publike për tri vite.
Ndërkaq, të akuzuarit e tjerë Shefki Zeqiri, Ekrem Gjoka, Shkelzen Morina, Leon Thaçi, Lindar Krasniqi dhe Albana Zeqiri u liruan nga akuza me arsyetimin se nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale që u viheshin në barrë.
Sipas aktakuzës së përfaqësuar nga prokurorja speciale Habibe Salihi, i pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me shtatë zyrtarët Kapllan Halimin, Shefki Zeqirin, Ekrem Gjoken, Shkëlzen Morinën, Leon Thaçin, Lindar Krasniqin dhe Albana Zeqirin, akuzohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Aktakuza thotë se të akuzuarit në bashkëveprim buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 3.4 milion euro./E.T/Drejtësia Sot