|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Shtyhet afati për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Gjakovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka marrë vendim që të shtyhet afati për shpalljen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, raporton “Drejtësia Sot”.

Sipas vendimit të datës 23 maj 2023, KPK kishte vendosur që ky konkurs të shpallej më datën 1 qershor 2023, por i njëjti pritet të shpallet pas miratimit të Rregullores së re për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive për faktin se rregullorja aktuale është në kundërshtim me Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit.

Referuar vendimit të datës 31 maj, KPK ka theksuar se nga 1 qershor 2023, ka hy në fuqi Ligji Nr.08/L-167 për Prokurorin e Shtetit, i cili parasheh kritere të tjera për përzgjedhjen e Kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore në krahasim me kriteret që kanë qenë të përcaktuara me ligjin paraprak dhe me Rregulloren Nr.06/2019 për Emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës.

Prandaj, Këshilli ka vendosur që afati për shpalljen e konkursit për Kryeprokuror të Gjakovës të shtyhet deri në miratimin e rregullores me ndryshimet që i parasheh Ligji i ri.

Me ligjin dhe rregulloren që ka qenë në fuqi, kandidati për kryeprokuror të prokurorisë themelore do të duhej t’i plotësonte këto kritere: të jetë prokuror me mandat të përhershëm; të mos ketë të ngritur aktakuzë; të mos jetë i dënuar për vepër penale; të ketë vlerësim pozitiv të performancës në tri vitet e fundit; të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore në pesë vitet e fundit (duke përjashtuar qortimin dhe vërejtjen jo publike me shkrim); të ketë reputacion të lartë profesional dhe integritet moral dhe të plotësojë kriteret që nevojiten edhe për emërim si prokuror në Departamentin për të Mitur apo për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore.

Kurse me Ligjin e ri parashihen këto kushte që duhet t’i plotësojnë kandidatët për pozitën e kryeprokurorit të prokurorisë themelore: të jetë prokuror me mandat të përhershëm; të mos jetë i dënuar për vepër penale, përjashtimisht veprave penale të kryera nga pakujdesia, të mos ketë aktakuzë të ngritur, përjashtimisht atyre të ngritura për vepra penale të kryera nga pakujdesia; të ketë vlerësim të dalluar apo të mirë të performancës në dy (2) vlerësimet e fundit të rregullta; të tregojë dhe dëshmojë integritet të lartë dhe aftësi menaxheriale; të mos ketë të shqiptuar masë disiplinore, me përjashtim të qortimit apo vërejtjes jo-publike në pesë (5) vitet e fundit si dhe të ketë së paku pesë (5) vite përvojë pune si prokuror.

Kujtojmë që KPK në takimin e mbajtur më 23 maj 2023, kishte marrë vendimin që nga data 1 deri më 15 qershor të shpallej konkursi për Kryeprokuror të Gjakovës, pasi që ish-kryeprokurori Ramiz Buzhala ishte degraduar në pozitë si masë disiplinore e shqiptuar ndaj tij dhe e vërtetuar nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Sipas vendimit disiplinor të KPK-së, Ramiz Buzhala ishte gjetur përgjegjës se kishte kryer shkelje disiplinore pasi që kishte shpërndarë pyetjet e provimit për bashkëpunëtorë profesional më 13 korrik 2022, ditë në të cilën ishte planifikuar të mbahej testimi për këto pozita.

Lidhur me këtë, KPK-ja me 23 dhjetor 2022 kishte vendosur që ndaj Buzhalës të bëhej transferimi i përhershëm nga pozita e prokurorit në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, në pozitën e prokurorit në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.

Kjo masë disiplinore ishte vërtetuar edhe nga Gjykata Supreme e Kosovës më datë 10 shkurt 2023.

Kujtojmë që nga data 14 korrik 2022, prokurori Enis Gashi është Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës./Drejtësia Sot

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter