Policia e Kosovës njofton se gjatë ditës së djeshme në Mitrovicën e Veriut ka arrestuar një qytetar serb, të dyshuar për disa vepra penale.
Bëhet fjalë për Milen Milenkoviq, udhëheqës i formacionit paralel “Mbrojtja Civile”, i cili ndër të tjera dyshohet se ka kryer sulm terrorist ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor të Mitrovicës së Veriut, në dhjetor të vitit të kaluar.
Policia e Kosovës bën të ditur se arrestimi i Milenkoviq është bërë gjatë mesditës së djeshme në sheshin “Car Llazar” të Mitrovicës së Veriut.
Tutje, në raportin 24 orësh thuhet se i dyshuari Milenkoviq, me qëllim të shmangies së arrestimit të tij, ka rezistuar dhe si pasojë e kësaj lëndime trupore ka pësuar një zyrtar policor dhe i dyshuari, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Lidhur me rastin, pas operacionit policor një turmë e personave të dyshuar deri më tani të pa identifikuar, kanë sulmuar me gurë dhe me mjete të forta njësitet policore të Rendit Publik dhe veturat e policisë”- thuhet tutje në raportin e Policisë.
Si pasojë e sulmeve lëndime trupore thuhet se kanë pësuar tre zyrtarë policorë të cilëve iu është ofruar tretman mjekësor, po ashtu janë dëmtuar edhe tri vetura të Policisë së Kosovës.
Sipas Policisë, në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe i njëjti po vazhdon të hetohet.
Ndryshe, gjatë ditës së djeshme në Veri të Mitrovicës janë shënuar edhe disa incidente tjera kriminale, përfshirë edhe sulmin ndaj katër zyrtarëve policor.
Sipas njoftimit, derisa katër zyrtarët policor ishin në drejtim të stacionit policor janë sulmuar me mjete të forta – gurë nga 4-5 persona të dyshuar të panjohur të cilët janë larguar në drejtim të panjohur.
Nuk raportohet për të lënduar përveç që është dëmtuar vetura zyrtare. Rasti po vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore.
Po ashtu, dje në Leposaviq është raportuar se dy vetura, pronë e Policisë së Kosovës, deri sa kanë qenë në eskortë duke u kthyer nga objekti i Komunës së Leposaviqit, janë sulmuar me vezë dhe me ngjyrë nga të dyshuar deri më tani të panjohur. Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti vazhdon të hetohet.
Në fund raportohet edhe për një rast të dëmtimit apo asgjësimit të pasurisë dhe sulmit ndaj një ekipi të gazetarëve.
Ky incident kriminal thuhet se ka ndodhur në komunën e Zveçanit, me ç’rast një grup i personave të dyshuar, deri më tani të pa identifikuar, kanë sulmuar një ekipe të gazetarëve dhe i kanë thyer xhamat e veturës së tyre.
Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe rasti vazhdon të hetohet nga njësitet kompetente policore./Drejtësia Sot