|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për krime lufte në rajonin e Pejës

I akuzuari Millorad Gjokoviç ka mohuar pretendimet e Prokurorisë Speciale se i njëjti ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në vitet 1998-1999, në rajonin e Komunës së Pejës.

Deklarimi i të akuzuarit Gjokoviç erdhi pas leximit të aktit akuzues nga prokurori Ilir Morina, në seancën e shqyrtimit fillestar që u mbajt dje në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special.

Pasi i akuzuari nuk pranoi fajësinë, kryetari i trupit gjykues njoftoj mbrojtjen se kanë të drejtë të paraqesin kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave në afat prej 30 ditësh.

Ndërsa propozimin e mbrojtjes që ndaj të akuzuarit Gjokoviç të caktohet ndonjë masë më e lehtë për sigurimin e të pandehurit në procedurë, gjykata vendosi ta refuzoj duke e lënë edhe më tutje në fuqi masën e paraburgimit.

Kundër këtij propozimi ishte edhe prokurori special Ilir Morina, i cili theksoi se nuk ka pushuar asnjë rrethanë qoftë juridike apo faktike, që të ndërrohet masa e sigurisë së të pandehurit në këtë procedurë penale.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur më 23 qershor 2023, i akuzuari Milorad Gjokoviç në mëngjesin e datës 07 majit 1999, si pjesëtar i forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kishin rrethuar fshatin Ozdrim, të komunës së Pejës.

PSRK pretendon se nga kjo ofensivë ushtarako-policore, forcat serbe të ndara në tre grupe e sulmuan fshatin nga tre drejtime ku filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç’rast u vranë gjashtë civile të nacionalitetit shqiptarë: I.K, Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh, M.H.

Po ashtu, gjatë këtij aksioni tre civilë A.G, H.G, M.G, u plagosën e më pas u transportuan  për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë.

Gjithashtu, nga kjo ofensive ushtarako-policore edhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh, u vranë por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre.

Tutje, në datën dhe vendin e cekur në pikën forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe në të cilat bënte pjesë edhe i pandehuri, bastisen, rrahën, maltretuan dhe arrestuan me dhjetëra shqiptarë civil, ashtu që fillimisht i arrestuan rreth 40 persona dhe i dërguan në një garazh që gjendej pranë nënstacionit policor në Ozdrim, e quajtur “Shupa e Shemit”.

Aty i mbajtën rreth tre ditë në kushte mizore në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe konventat ndërkombëtare, duke mos ju ofruar ushqim e as ujë të pijes, duke i torturuar fizikisht dhe duke i trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ashtu që pas tre ditëve në orët e mbrëmjes 12 persona u liruan, ndërsa pjesa tjetër e të ndaluarve, në tre grupe të ndara i transportuan në Pejë.

PSRK pretendon se aty forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe i morën në pyetje duke i torturuar, trajtuar në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, rrahur e maltretuar, e më pastaj i dërguan si të burgosur në Burgun e Pejës, e nga aty në burgun e Leskovcit në Serbi, ku kishte vazhduar tortura fizike dhe psikike nga ana e oficerëve korrektues, duke i mbajtur në kushte skllavërie pa ushqim, higjienë dhe pa gjumë, të cilët u liruan pas përfundimit të luftës me ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar.

Gjithashtu, forcat ushtarake policore dhe paramilitare serbe në të cilat bënte pjesë edhe i pandehuri, më 7 maj 1999, në Ozdrim të Pejës, i dëbuan nga shtëpitë e tyre banorët e fshatit në drejtim të Shqipërisë, ndërsa pas zbrazjes së fshatit, filluan plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e mbi 62 shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptarë të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Me këtë, ekziston dyshimi i bazuar mirë se Millorad Gjokoviç në bashkëkryerje e ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”./Drejtësia Sot

Monitorues Leotrim Pajaziti

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter