Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Departamenti Special është anuluar seanca e shqyrtimit gjyqësor ne rastin e njohur si “Toka” në të cilën akuzohen 22 persona për vepra të ndryshme penale.
Shkak i anulimit të seancës së sotme ishte parashtresa e dorëzuar nga mbrojtësi i të pandehurit Ndeu Palushi, Av. Halim Kuliqi me datë 24 korrik 2023, ku i njëjti e ka njoftuar gjykatën se i mbrojturi i tij për shkaqe shëndetësore nuk mund që të jetë i pranishëm në këtë seancë.
Lidhur me këtë shkresë dhe anulimin e seancës së sotme, gjykata bëri të ditur se i kishte njoftuar mbrojtësit e të pandehurve të tjerë edhe pse të njëjtit deklaruan se nuk kanë pranuar ndonjë e-mail për anulimin e kësaj seance.
Seancat e radhës janë planifikuar të mbahen me datë 27 dhe 28 korrik 2023.
Ndryshe, sipas aktakuzës, 22 të akuzuarit po akuzohen se kanë kryer veprat penale për krim të organizuar, pastrim të parave, marrje të mitos, mashtrim të rëndë, mashtrim në detyrë, keqpërdorim të detyrës, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe evazion fiskal.
Monitoruar nga: Rinor Bajrami