Sot me datë 26.07.2023 në ora 13:00 pritet të shpallet aktgjykimi në rastin e 20 të akuzuarve për shitblerje të armëve dhe falsifikim parash.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, e përpiluar me 21 janar 2022, Samir Ramic, Ifeta Ramic, Besim Metaj, Sefadin Kabashaj, Fadil Pepic, Petrit Musaj, Arton Cenaj, Adhurim Fazlija, Kujtim Sadikaj, Brahim Hoxha, Hajriz Asllani, Berat Bajrami, Halim Neziri, Skender Arifi, Skender Nuredini, Teki Ramadani, Feratbegu Aliu dhe Agron Maliqi akuzohen se kanë kryer veprën penale: Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse.
Këtë vepër prokuroria pretendon se e kanë kryer nga periudha e panjohur kohore në vazhdimësi e deri me datën 14 prill 2021, duke vepruar sipas marrëveshjes paraprake, me qëllim të furnizimit, transportimit, këmbimit, ndërmjetësimit dhe shitjes së paautorizuar së armëve, kanë transportuar, ndërmjetësuar dhe shitur armë të llojeve të ndryshme në mënyrë të paautorizuar, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme.
Sipas prokurorisë, pas përgjimit dhe vëzhgimit nga ana e personave zyrtarë, tek një pjesë e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar armë të llojeve të ndryshme, fishekë, pajisje për pastrimin e armëve, poashtu biseda telefonike etj, e të cilat sipas Prokurores së rastit Fikrije Fejzullahu janë prova të cilat paraqesin dyshim të bazuar mirë se të pandehurit janë kryerës të veprave penale sic janë të përshkruara në dispozitivin e aktakuzës.
E pandehura Ifeta Ramic po akuzohet po ashtu se ka kryer veprën penale “falsifikimi i parasë“ në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar deri me datën 29 shtator 2020 ka pranuar dhe posedua para të falsifikuar, ashtu që gjatë kontrollit të shtëpisë së saj janë gjetur dhe sekuestruar një kartëmonedhë prej 100 eurosh, e cila pas ekzaminimit rezulton të jetë totalisht e falsifikuar.
Ndërsa, i pandehuri tjetër Salih Kutleshi akuzohet nga Prokuroria Speciale se ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm, në atë mënyrë që prej kohës së pavërtetuar e deri me datën 14 prill 2021 ka mbajtur armë paautorizim ashtu që gjatë kontrollës në shtëpinë e tij i është gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie dy tetëshe me 7 fishekë të kalibrit 12mm.
Ndërkaq, në seancën e kaluar të mbajtur më datë 21.07.2023, u lexuan fjalët përfundimtare, ku prokurorja e rastit Fikrije Fejzullahu kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtor sipas ligjit, ndërsa mbrojtja e 20 të akuzuarve kërkoj aktgjykim lirues për të mbrojturit e tyre nga gjyqtari i rastit Valon Kurtaj.
Monitoruar nga: Leotrim Pajaziti