Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka publikuar vendimin disiplinor me të cilin ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën disiplinore të Raiffaisen Bank Kosova (RBK) ndaj gjyqtarit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Faton Ajvazi.
Sipas vendimit të KGJK-së, i datës 12 qershor 2023, ankesa disiplinore e RBK-së ishte drejtuar ndaj vendimit të kryetarit të Gjykatës së Ferizajt, më të cilin ishte refuzuar si e pabazuar kërkesa për inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Ajvazi.
Në pretendimet e ankesës së RBK-së theksohej se kryetari i Gjykatës, si Autoritet Kompetent pa të drejtë e kishte refuzuar kërkesën për inicim të procedurës disiplinore ndaj gjyqtarit Ajvazi, duke e shfajësuar nga shkeljet disiplinore.
Pas shqyrtimit të ankesës së RBK-së, Këshilli erdhi në përfundim që e njëjta është e palejuar për faktin se RBK, si person juridik, nuk është kompetentë për të parashtruar ankesë ndaj vendimeve të Autoritetit Kompetent në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Sepse, sipas Ligjit nr.06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, personat fizik dhe juridik nuk mund të parashtrojnë ankesë ndaj vendimeve të Autoritetit Kompetent tek Këshilli, kur Autoriteti Kompetent e ka refuzuar ankesën disiplinore, dhe se për këtë veprim është i autorizuar vetëm Avokati i Popullit.
Mbi bazë të këtyre rrethanave, KGJK ka vlerësuar se ankesa e parashtruar nga RBK-ja së bashku me shkresat e bashkëngjitura është e pa lejuar./Drejtësia Sot