Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias, Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
Kjo kërkesë është adresuar pas disa ndryshimeve të pësuara nga një draft paraprak, për të cilin ka pasur shqetësime dhe çështje të ngritura më parë.
Opinioni lidhur me këtë projektligj është kërkuar në tërësi, duke e konsideruar të një rëndësie enorme për arritjen e qëllimit të reformimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kujtojmë se ky Projektligj ka qenë një herë i votuar në Kuvendin e Kosovës në dy lexime por që u rrëzua nga Kushtetuesja, dhe si rrjedhojë e kësaj është rishkruar.
Duke pasur parasysh praktikën e deritashme që e ka ndjekur Ministria e Drejtësisë, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) vlerëson se e njëjta do të duhej që amandamentet e reja të Ligjit për KPK-në t’i dërgojë për opinion edhe në Komisionin e Venecias.
Nga rëndësia që ka ky Projektligj, GLPS-ja në vazhdimësi ka kërkuar që MD-ja të sigurohet që amandamentet e propozuara të jenë në linjë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese sa i përket Projektligjit paraprak të kontestuar si dhe me komentet eventuale që mund të vijnë nga Venecia./Drejtësia Sot