Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda sot pritet të shpallë aktgjykimin ndaj Dardan Krivaçës dhe Arbër Sejdiut, të cilët po akuzohen lidhur me rastin e dhunimit dhe vrasjes së Marigona Osmanit në gusht të vitit 2021, në qytetin e Ferizajt.
DREJTËSIA SOT prezanton këtu një historik të shkurtër të ngjarjeve kryesore të këtij rasti që nga informatat e para të pranuara nga Policia e Kosovës, arrestimi i të dyshuarve, ngritja e aktakuzës dhe gjykimi në shkallën e parë.
22 gusht 2021 – Në media raportohet rasti se dy të dyshuar kishin dërguar në hapësirat e Spitalit të Përgjithshëm të Ferizajt një vajzë 18 vjeçare, e më pas ata ishin larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Viktima konstatohet të ketë qenë pa shenja jete. Në të njëjtën ditë, Policia e Kosovës ka identifikuar të dyshuarit Arbër Sejdiu dhe Dardan Krivaça, me ç’rast i dyshuari Sejdiu arrestohet ndërsa i dyshuari Krivaça ishte në arrati.
23 gusht 2021 – Prokuroria Themelore në Ferizaj ka pranuar kallëzim penal lidhur me dyshimin se Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, kanë dhunuar dhe vrarë në bashkëpunim tani të ndjerën Marigona Osmani për motive xhelozie. Në po të njejtën ditë, kjo Prokurori, ka filluar hetimet në drejtim të veprës penale ‘Vrasje e rëndë në bashkëkryerje’ si dhe kishte paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve.
24 gusht 2021 – Policia e Kosovës arreston të dyshuari kryesor, Dardan Krivaça, i cili në atë kohë ishte në bashkësi jashtëmartesore me viktimën Marigona Osmani. Në të njëjtën ditë, Gjykata cakton masën prej 30 ditë paraburgim ndaj të dyshuarit Sejdiu.
25 gusht 2021 – Dardan Krivaça sillet para gjyqtarit të procedurës paraprake ku u mbajt seancë dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë që ndaj tij të caktohet paraburgim në afat prej 30 ditësh. Kërkesa e Prokurorisë është aprovuar dhe aktualisht të pandehurit Sejdiu e Krivaça gjenden ende nën këtë masë.
30 maj 2022 – Prokuroria Themelore në Ferizaj ka zgjeruar hetimet ndaj të pandehurit Dardan Krivaça, nën dyshimin për veprën penale të “Dhunimit”, si dhe për të pandehurin Arbër Sejdiu, nën dyshimin për dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të ‘Dhunimit’.
28 qershor 2022 – Prokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Valdet Avdiu, kishte ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarve Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 22 Gusht 2021, të pandehurit me dashje dhe në bashkëkryerje e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me çka në bashkëkryerje kryejnë veprën penale “Vrasja e rëndë”. Po ashtu, sipas Prokurorisë, për të pandehurin Dardan Krivaça, ekziston dyshimi i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale “Dhunimi”. Ndërsa, i pandehuri Arbër Sejdiu, me dashje i ka ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaça, në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Prokuroria në aktin akuzues pretendon se me datë 21 gusht 2021, i akuzuari Krivaça e detyron të ndjerën Marigona Osmani për të kryer marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e saj, e përcjellur me tortura fizike e provuar përmes video inçizimeve të marra në vendin e ngjarjes dhe fotot e bëra nga njësia e forenzikës, duke ngritur kështu dyshimin se ka kryer veprën penale “Dhunimi”, për të cilën vepër parashihet dënimi me burgim prej 5 deri në 15 vite. Kurse për të pandehurin Arbër Sejdiu, Prokuroria pretendon se me datë 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaça, në Ferizaj, me dashje merr veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit, andaj të njëjti i vë në barrë veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit”.
Po ashtu, të pandehurit Dardan Krivaça dhe Arbër Sejdiu, akuzohen se me datë 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaça, në rrugën, “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, e privojnë nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri Dardan Krivaça ishte në bashkësi jashtë martesore, ku të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty. Kësisoj, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e Rëndë”, për të cilën vepër parashihet dënimi jo më pak se 10 vite burgim ose dënim me burgim të përjetshëm.
14 korrik 2022 – Gjykata Themelore në Ferizaj-Departamenti Krimeve të Rënda, brenda afatit ligjor, ka mbajtur seancën e shqyrtimit fillestar. Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit të rastit, i akuzuari Dardan Krivaça nuk është deklaruar në lidhje me fajësinë kurse i akuzuari Arbër Sejdiu është deklaruar i pafajshëm. Gjykata u dha mundësinë të pandehurve që brenda afatit prej 30 ditëve të parashtrojnë kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
02 shtator 2022 – Gjykata e Ferizajt kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave të paraqitura në aktakuzë nga Prokuroria, m ç’rast kishte marrë aktvendim me të cilin e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të pandehurve Krivaça dhe Sejdiu.
26 tetor 2022 – Në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, të akuzuarit i mohuan pretendimet e Prokurorisë duke u deklaruar të pafajshëm para gjykatës. Po në këtë datë, dëshminë e tyre e dhanë edhe pala e dëmtuar, konkretisht prindërit e Marigona Osmanit. Gjatë deklarimit të tyre, ndër të tjera prindërit e viktimës theksuan ndryshimin e madh që kishte pësuar në sjellje vajza e tyre pas njohjes me të akuzuarin Krivaça.
9 – 10 shtator 2022, 29 dhjetor 2022 dhe 24 janar 2023 – U mbajtën seancat e radhës në të cilat u procedua me dëgjimin e dëshmitarëve përfshirë këtu djalin e dajës së të akuzuarit Krivaça, mjeku që ka qenë kujdestar në Spitalin e Ferizajt ditën kritike, mjeku i përgjithshëm në Spitalin e Ferizajt, eksperti mjeko-ligjor, si dhe punëtori i kompanisë që mbikëqyrte incizimet e kamerave në banesën ku dyshohet se u krye dhunimi dhe vrasja e të ndjerës Marigona Osmani.
1 qershor 2023 –Seanca gjyqësore u mbyll përkohësisht vetëm sa i përket pjesës ku shfaqet një videoincizim, i cili përmban pamje të cilat shkelin integritetin seksual, provë kjo e bashkëngjitur në aktakuzën ndaj Krivaçës e Sejdiut, si dhe u administruan provat tjera si: Raporti i autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore; Dosja e Forenzikës; Libri për evidencën e thirrjeve në kompaninë e Sigurimeve ‘Syri i Shqiponjës’; Vërtetimi mbi konfiskimin e sendeve të sekuestruara; Raporti i ekspertizës nga ABIS dhe CD-ja me videoincizime në banesën e Krivaçës në kohën kur dyshohet se ndodhi vrasja.
6 korrik 2023 – Shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me administrimin e provave përkatësisht më paraqitjen e mbrojtjes nga ana e të akuzuarve. Dardan Krivaça ka refuzuar që të deklarohet dhe të japë mbrojtjen e tij, ndërsa i pandehuri Arbër Sejdiu ka dhënë versionin e tij lidhur me ngjarjen e ndodhur, duke deklaruar se nuk qëndron prapa deklaratës që ka dhënë në Polici, për arsye se sipas tij, ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike.
1 gusht 2023 – Palët dhanë fjalët e tyre përfundimtare. Prokurori i rastit, Valdet Avdiu, tha se nga të gjitha provat e administruara, dëshmitarët e dëgjuar, video-incizimet e kamerave, është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprat penale si në aktakuzë, andaj kërkoi nga gjykata që të njëjtit t’i dënojë sipas ligjit. Prokurori Avdiu shtoi se ka bërë ndryshim të aktakuzës, duke e hequr në tërësi pretendimin se vrasja është kryer me motivin e fshehjes së veprës penale të “Dhunimit”.
Mbrojtësi i palës së dëmtuar kërkojë nga ana e gjykatës që të shqiptohet dënim maksimal për të pandehurit Krivaça e Sejdiu. Gjatë kësaj seance, fjalën përfundimtare e paraqiti avokati i të akuzuarit Krivaça, Admir Salihu ku theksoi se gjykata gjatë matjes së dënimit t’i ketë parasysh të gjitha rrethanat dhe, sipas tij, në këtë gjykim është vërtetuar se vepra penale është kryer nën ndikimin e lëndëve narkotike”. Fjalën përfundimtare të avokatit e mbështeti edhe i akuzuari Dardan Krivaça, i cili shprehu pendesë duke shtuar se “Ma shumë se unë që e ka deshtë të ndjerën s’e ka deshtë kërkush, me pas mujt me e kthy kohën mas,kisha dhanë gjithçka me kthy kohën mas”.
Më pas, mbrojtja e të pandehurit Arbër Sejdiu, avokate Arbnora Shefkiu i kërkoi gjykatës që ndaj tij të marrë aktgjykim lirues. Një deklarim të tillë e mbështeti edhe vetë i akuzuari Sejdiu.
Në fund të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sahit Krasniqi e shpalli këtë gjykim të përfunduar dhe njoftoi palët se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më datë 04 gusht 2023, në ora 11:00./Drejtësia Sot
Shënim: Të akuzuarit në këtë rast konsiderohen të pafajshëm deri në momentin kur me aktgjykim të plotfuqishëm vërtetohet fajësia e tyre.