|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Gjyqësori në Kosovë, qasja në drejtësi dhe sfidat në realizimin e plotë të saj

Ese nga Besarta Sejdiu

Drejtësia është formë e vendosjes së ekuilibrit në mes të aspekteve teorike legjislative dhe zbatimit praktik të tyre. Duke qenë se jemi shoqëri shumëetnike, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ofron garanci për qasje në drejtësi dhe barazi para ligjit nga të gjithë komunitetet që jetojnë në Republikën e Kosovës. Shteti i së drejtës nuk mjaftohet vetëm me ekzistimin e infrastrukturës ligjore, por, se si manifestohet zbatimi praktik i ligjeve në shoqëri. Pra, qasja në drejtësi duhet të jetë efektive, që do të thotë se duhen mekanizma të veçantë, që kujdesen në implementimin në praktikë të saj. Pa vendosjen e sundimit të ligjit, nuk mund të ketë ekonomi, arsim, kulturë dhe as një shëndetësi të zhvilluar. Mosefikasiteti në sistem të drejtësisë është evident, kjo si rrjedhojë e mungesës së bashkëpunimit të mirëfilltë të akterëve shtetërorë në drejtim të zbatimit të ligjeve. Duke qenë se qasja në drejtësi përfaqëson parimin më fundamental në kontekst të sundimit të ligjit, duhet të punohet në drejtim të reformave në fushat, në të cilat ngecjet në sistemin e drejtësisë janë evidente.

Si sfiduese për gjyqësorin janë: Zvarritja e procedurave, kthimi i lëndëve nga Gjykata e Apelit disa herë në rigjykim shkallës së parë dhe mosveprimi sipas dispozitave të ligjit, hezitimi i gjyqtarëve për trajtimin e lëndëve të vjetra, mostrajtimi i lëndëve me prioritet, diskriminimi i grupeve të margjinalizuara, mosreferimi i lëndëve në ndërmjetësim të detyrueshëm, mosrespektimi i parimit të ndihmës së palës së painformuar për veprimet procedurale apo në disa raste edhe tejkalimi i tij, duke cenuar kështu parimin e barazisë së armëve, dënime të ulëta për të akuzuarit, e që dënimet alternative janë më të theksuara edhe në rastet kur pesha e veprës penale apo sjellja recidiviste nuk e arsyetojnë një gjë të tillë. Këto tregojnë për jopërgjegjësi nga ana e gjyqtarëve të çështjes mbi trajtimin e lëndëve. Kjo situatë, padyshim ka derivuar si pasojë e mosangazhimit të akterëve shtetërorë në zgjidhjen e këtyre problematikave që pengojnë qasjen efektive në drejtësi.

Funksionimi i shtetit të së drejtës është qenësor. Kjo arrihet vetëm me përkushtim gjithë institucional dhe me qasje me prioritet për reforma në drejtësi. Vettingu nuk duhet të jetë vetëm në letër, por i shprehur me rezultate të reflektuara menjëherë në sistemin e drejtësisë. Ndryshimet kushtetuese si dhe strategjitë e qarta të veprimit janë poashtu qenësore, duke pasur parasysh faktin se procesi i reformimit ndikon në pavarësimin e gjyqësorit dhe në luftën efikase kudër korrupsionit. Duhet të merren në konsideratë dhe raportet vjetore që hartohen nga Institucioni i Avokatit të Popullit i cili është një indikator i rëndësishëm që tregon gjendjen e zbatimit të ligjit dhe rastet e cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut gjatë viteve, në mënyrë që rekomandimet e tij të implemetohen në kuadër të reformave. Ndikimet politike janë të patolerueshme në sistemin e drejtësisë, pra duhet që të respektohet nga Qeveria parimi i ndarjes së pushteteve shtetërore, ngase është përcaktim kushtetues me karakter imperativ.

E rëndësishme të potencohet në ketë drejtim janë reformat që ka filluar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si autoritet i pavarur dhe përgjegjës për administrimin e gjyqësorit për ndryshime në gjyqësor, me rritjen e numrit të gjyqtarëve, hapja e pozitave të reja për gjyqësorin si dhe përzgjedhjen e stafit përmes proceseve transparente, diskutimet e Këshillit të hapura për publikun, vlerësimet e performancës për gjyqtarë, trajnimet e vazhdueshme për stafin në sistemin gjyqësor që ndikojnë në profesionalizimin e tyre, masat disiplinore dhe sanksionet e tjera  për abuzuesit me ligjin si dhe sanksione më të rënda për deklarim jo të vërtetë të pasurisë nga gjyqtarët si dhe vendosja e normës së lëndëve që duhet përfunduar për çdo muaj nga gjyqtarët e secilit departament, njoftimi i qytetarëve me të drejtën e ankesës mbi sjelljen e gjyqtarëve në raport me lëndët dhe palët në procedurë.

Duke pasur parasysh se gjyqësori ende gjendet në fazën e hershme të procesit të reformimit, i rëndësishëm është edhe angazhimi i organizatave joqeveritare në drejtim të identifikimit të parregullsive në jetësimin e  këtyre reformave si dhe padyshim se roli i mediave në këtë drejtim është i domosdoshëm ngase e ofrojnë qytetarin më pranë informacioneve mbi këto reforma. Në këtë proces të ndjeshëm duhet të  marrin pjesë persona me integritet të lartë në shoqëri dhe të jenë njohës dhe të kenë përvoja në procese të tilla. Duke qenë se jemi shtet i ri dhe se reformat janë të domosdoshme duhet padyshim edhe bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar në jetësimin e reformave të tilla. Të gjitha këto kanë rëndësi sepse qasja në drejtësi është për qytetarin dhe sigurinë juridike dhe respektimin e të drejtave të tij që i janë garantuar me ligj. Si të tilla, këto ofrojnë qasje më efikase të qytetarit në drejtësi, andaj këto reforma po që se arrijnë të zbatohen ashtu siç janë projektuar, do të ndikonin në përmirësimin e statusit aktual të qytetarit në raport me institucionet e drejtësisë

Nga raportet ndërkombëtare për vlerësimin e  gjendjes së zbatimit të ligjit në Kosovë, ende nuk jemi në pikën ku gjyqësori duhet të vetëkënaqet, ngase ende stagnon në shumë pika si në kontekst të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, aspektet e diskriminimit dhe grupet e margjinalizuara, moszbatimi i parimit të gjykimit brenda një afati të arsyeshëm kohor, korrupsioni dhe konfliktet e interesit, mosekzekutimi i vendimeve, keqpërdorimet me pushtetin, të cilat ende shprehen në përqindje të lartë krahas rezultatit që duhet të mbizotërojë në një shoqëri ku sundon ligji dhe e drejta. Mirëpo, për të parë ndryshimet gjithmonë duhet të vihet në aspekte komperative situata në të kaluarën e sistemit gjyqësor dhe ajo që është tani, e që ndryshimet pozitive edhe pse nuk janë jashtëzakonisht të dukshme, mirëpo nuk mund të mohohen si të tilla.

Të rinjtë në drejtësi janë zgjidhje progresive në arritjen e rezultateve të mëdha në fushën e drejtësisë. Duke marrë parasysh faktin se gjyqësori vetëm për këto vitet e fundit, shumica dërrmuese e stafit të përzgjedhur në konkurset  në gjyqësor janë gjeneratë e re, janë shpresë për ndryshim dhe vendosje të një sistemi të ri të drejtësisë, ku më nuk do të ketë vend për shmangie nga zbatimi i ligjit. Brezi i ri ka në dorë të bëjë ndryshime dhe vendosjen e themeleve për një qasje në drejtësi siç e njeh Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ku të gjithë pa dallim dhe të barabartë të kenë qasje efikase në institucionet e drejtësisë.

-GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT- Ngritja e reagimit qytetar drejt një qasjeje të përmirësuar në drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter