|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

Roli i shoqërisë civile në sundimin e ligjit

Ese nga ART VULA

Sundimi i ligjit si një element kryesor i demokracisë ka ndikim në fusha të ndryshme. Nëse konsiderojmë se në një vend demokratik, sundimi i ligjit ndërmjetësohet nga një sistem i drejtësisë i pavarur nga akterë të jashtëm, atëherë dhe vetëm atëherë realizohet zbatimi i ligjit dhe barazia para tij. Rrjedhimisht, qëndron parimi se askush nuk është mbi ligjin dhe se ligji është i barabartë për të gjithë.

Në krahasim me këtë, sundimi i ligjit ndihmon në mirëmbajtjen e standardeve më të larta ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut. Ky bashkëveprim i sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut shpërfaq kredibilitet dhe besueshmëri qytetare të cilat konsolidohen me krijim të ligjeve të qarta, të qëndrueshme dhe mbrojtëse ndaj të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Megjithatë, sundimi i ligjit nuk mund të garantojë i vetëm drejtësinë, transparencën dhe llogaridhënien në shoqëri. Për të arritur deri këtu, duhet të kemi një ndërveprim të fortë dhe të ndërgjegjshëm nga të gjithë akterët e shoqërisë. Një shoqëri e ndërtuar në bazë të sundimit të ligjit nuk do të thotë automatikisht që ajo është një shoqëri e drejtë dhe e barabartë. Për të arritur këto cilësi, nevojitet angazhimi dhe përpjekja e të gjithëve, përfshirë autoritetet përgjegjëse, shoqërinë civile dhe qytetarët në përgjithësi. Vetëm në këtë mënyrë, ne mund të ndërtojmë një shoqëri të lirë dhe të drejtë, në të cilën drejtësia dhe transparenca janë përhapur në mënyrë të barabartë, si një fryt i bashkëpunimit të të gjithëve.

Kur jemi tek akterët e shoqërisë, shoqëria civile ka rolin më kritik, duke kontribuar fuqimisht në avokimin për çështje të interesit publik e mundësimit të pjesëmarrjes qytetare në procese vendimmarrëse, duke plotësuar “parakushtin” demokratik për vendet në të cilat mbizotëron liria, barazia dhe solidariteti.

Mirëpo, sikurse në shumë vende nëpër botë, edhe në Kosovë, puna e shoqërisë civile jo rrallëherë kufizohet, ashtu që burokraci e barriera të ndryshme që vendosen nga ushtruesit e pushtetit, krijojnë një hendek të gjallë mes shoqërisë dhe pjesëmarrjes së plotë qytetare. Një gjë e tillë shkon dhe më tej, duke u pasuar me intimidime, kërcënime e persekutime të akterëve të shoqërisë civile, duke tentuar bllokimin e avokimit të tyre për çështje të caktuara në interes publik.

Ky fenomen, në kohët moderne përkthehet si padi strategjike kundër pjesëmarrjes publike, ku paditësi, i cili prezumohet që posedon një repertor të gjerë resursesh, ngrit padi civile kundrejt të paditurit, i cili prezumohet që nuk i posedon të njëjtat resurse, me qëllimin e vetëm të cenzorimit, intimidimit dhe heshtjes së tij/saj si kritik/e e mbrojtës/e i/e interesit publik.

Shembull konkret e tipik i këtij fenomeni vlen të përmendet rasti “Kelkos Energy vs Shpresa Loshaj & Adriatik Gacaferi”, i cili decidivisht i vë në pah tendencat e lartpërmendura të akterëve të ndryshëm për t’iu shmangur elementeve të sundimit të ligjit. Fatmirësisht, një veprim i tillë në këtë rast kishte rezultuar si i pasuksesshëm në intimidim e cenzurim, njashtu sikurse duhet përfundojnë gjithë veprimet e tilla.

Duhet konsideruar se padi të tilla, janë gjithmonë në rritje e sipër, dhe në mënyrë dinamike marrin forma e kahje të ndryshme, për shkak se predikuesit dhe praktikuesit e mos-transparencës e mos-llogaridhënies janë gjithmonë në kërkim të metodave “inovative” e “moderne” të shpërfilljes së ligjit, ushtrimit të cenzurës, pamundësimit të pjesëmarrjes publike në vendimmarrje e heshtjes së kritikëve.

Për të vazhduar numërimin e sfidave, ndër të tjera, shoqëria civile në Kosovë përballet me mungesë të besimit publik e mbështetjes së vazhdueshme, shpeshherë duke u paraqitur si “thithës” të fondeve të huaja, duke keqinterpretuar punën esenciale që bëjnë organizata të ndryshme në avokim, edukim e aktivizëm qytetar, ku si rrjedhojë e kësaj përballen pastaj me mungesë të aksesit e resurseve për arritjen e qëndrueshmërisë së aktiviteteve e programeve të tyre, të cilat luajnë rol esencial në edukimin e rinisë për të ngritur zërin, për të qenë qytetar aktiv dhe për të kërkuar drejtësi.

Për të dalë nga sfidat, dhe për ta parë anën tjetër të monedhës, duhet ndalë dhe analizuar e përgëzuar punën e çmuar që shumë organizata e aktivist/e bëjnë në baza ditore. Organizatat e mëdha ndërkombëtare sikurse Human Rights Watch e Transparency International kontribuojnë jashtëzakonisht shumë në ekspozimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut, luftimit të korrupsionit e rritjes së transparencës në nivel global. Organizata të tilla, përveç se përmbushin rolin e tyre dhe mbrojnë të drejtat e liritë themelore njerëzore, ato edhe fuqizojnë qytetarë nga prapavija të ndryshme duke ju ngritur kapacitetet e tyre si dhe duke ju dhënë mundësi të ndryshme të ekspozimit ndaj njohurive të reja, pikëpamjeve të ndryshme e kulturave diverse.

Pikërisht, kjo mënyrë e funksionimit, ka gjetur zbatim dhe tek ne, ku organizata të shumta lokale, vendore e regjionale angazhohen mbi të njëjtat parime e vlera, dhe në një formë apo tjetër arrijnë që të vazhdojnë punën e nisur nga këto organizata liderë të fushës.

Sigurisht se si çdo tranzicion tjetër, edhe ky nëpër të cilin kalon vendi jonë tash e njëzet vite është sfidues, i paparashikueshëm dhe i vështirë, mirëpo forca e vullnetit e dëshira e madhe për kontribut shoqëror transmetohet si forcë shtytëse e qytetarëve/eve aktiv/e, të cilët kolektivisht shtyjnë para çështjet në interes publik, mbrojnë të drejtat e njeriut dhe e forcojnë themelin e sundimit të ligjit, së pari në nivel vendor, pastaj edhe indirekt duke kontribuar edhe në nivel regjional e ndërkombëtar.

-GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT– Ngritja e reagimit qytetar drejt një qasjeje të përmirësuar në drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter