|

Search
Close this search box.

Projekt i realizuar nga:

drejtesiasot.com justice today drejtesia sot rolpik.org website logo

ESE – “Vonesat në sistemin e drejtësisë si pengesë për arritjen e drejtësisë dhe realizimin e të drejtave”

Ese nga Melisa Kadolli

-Sistemi i drejtësisë në Kosovë është një nga tri shtyllat kryesore të shtetit dhe mirë funksionimi i tij na shpie drejt një shteti ligjor që Kosova aspiron të jetë. Sistemi i drejtësisë padyshim ka pasur përmirësime të rëndësishme që nga krijimi dhe fillimi i funksionimit të tij, por ka ende hapësira që lënë për të dëshiruar.

Qytetarët e Kosovës nuk ndahen të kënaqur nga funksionimi i gjyqësorit, duke bërë që shpeshherë të drejtojnë kritika ndaj tij, por gjithashtu duke humbur besimin që çështjet e tyre do të gjejnë zgjidhje nga ana e Gjykatave të Republikës së Kosovës.
Gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje për ta rikthyer besimin e qytetarëve në këtë institucion themeltar për vënien e drejtësisë, por edhe sot ky institucion nuk e gëzon kredibilitetin e plotë nga ana e masës së gjerë.

Për një shtet të së drejtës dhe për një funksionim sa më të mirë të sistemit të drejtësisë, padyshim që na paraqitet zgjidhja e çështjeve në kohë dhe brenda afateve të përcaktuara ligjore. Një zgjidhje e tillë përveçse na mundëson funksionim më të mirë ligjor ajo gjithashtu na mundëson edhe respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në bazë të parimit që të gjithë të gjykohen brenda afatit të arsyeshëm kohor.

Në gjykatat e Republikës së Kosovës aktualisht gjendën qindra e mijëra raste të cilat janë në shqyrtim gjyqësor dhe gjendën qindra e mijëra njerëz që presin zgjidhje për këto raste. Vonimi i Gjykatave të RKS-së në trajtimin e çështjeve mbetet ende një problem dhe një sfidë e pazgjidhur në sistemin tonë të drejtësisë, ku këto sfida kanë krijuar një krizë të theksuar për gjyqësorin e Kosovës.

Këto probleme ndodhin për disa arsye. Duke filluar nga mungesa e resurseve njerëzore, që do të thotë, numër i vogël i gjyqtarëve në krahasim me numrin e lëndëve që pranohen në Gjykatat e Republikës së Kosovës, duke bërë që aktualisht raporti të jetë 1 me 950 që do të thotë një gjyqtar të ketë të ngarkuara afro 950 raste për trajtim. Kjo ngarkesë padyshim që pengon aftësinë e gjyqtarëve dhe profesionistëve të tjerë ligjorë për t’i trajtuar rastet në mënyrë efektive.

Një faktor tjetër që kontribuon në këtë problem është kompleksiteti i vetë rasteve. Shumë raste që përfshijnë korrupsionin, krimin e organizuar ose shkeljet të të drejtave të njeriut kërkojnë burime, ekspertizë dhe kohë të konsiderueshme për t’u hetuar, gjykuar dhe dënuar. Sfidat e rasteve të tilla mund të shkaktojnë vonesa të konsiderueshme për sistemin gjyqësor të Kosovës.

Gjithashtu, një tjetër çështje kritike me të cilën përballet gjyqësori është mosrespektimi i afateve ligjore. Ligji i Kosovës për Procedurën Kontestimore parasheh afate specifike kohore për paraqitjen e veprimeve juridike dhe përfundimin e procedurave gjyqësore. Megjithatë, në praktikë, këto afate ligjore janë shpesh të injoruara pasi që divizioni civil paraqitet me numrin më të madh të lëndëve të pazgjidhura. Avokatët, gjyqtarët dhe palët ndërgjyqëse shpesh humbasin afatet ligjore dhe gjykata nuk arrin të vendosë sanksione për dukuri të tilla. Një mosrespektim i tillë i afateve ligjore nga sistemi i drejtësisë ndikon negativisht në sundimin e përgjithshëm të ligjit në Kosovë.

Përveç kësaj edhe në lëmin e çështjeve penale kemi të bëjmë me mosrespektim të afateve ligjore, ku shumë lëndë arrijnë afatin e parashkrimit, duke bërë që kryesit e veprave penale të lirohen pa u gjykuar e pa u dënuar. Ku vetëm gjatë periudhës së vitit 2018/19 mbi 5 mijë lëndë në lëmin penal janë parashkruar, ku në mesin e këtyre lëndëve ka pasur edhe lëndë me vepra penale të rënda.

Ritmi i ngadaltë i gjyqeve, i shoqëruar me shtyrje të shpeshta, është i papranueshëm. Ajo u mohon viktimave të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë dhe zgjat vuajtjet e tyre. Për më tepër, ai i lejon autorët të shmangin dënimin dhe të vazhdojnë të kryejnë krime.
Këto çështje ndikojnë negativisht në funksionimin e gjykatave, vonojnë dhënien e drejtësisë dhe pengojnë mbrojtjen e të drejtave të individëve. Prandaj, është i domosdoshëm adresimi i këtyre sfidave dhe zbatimi i zgjidhjeve praktike, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve të gjyqtarëve dhe stafit të gjykatave, zbatimin e teknologjisë moderne dhe zbatimin e afateve ligjore për të siguruar administrimin në kohë dhe efikas të drejtësisë. Qeveria duhet të ndajë më shumë buxhet dhe fonde për gjyqësorin, në mënyrë që ai të rritë kapacitetin e tij për të trajtuar çështjet.

Gjyqtarët dhe profesionistët e tjerë ligjor duhet t’i nënshtrohen trajnimeve në mënyrë sistematike për të rritur shkallën e profesionalizimit për zgjidhjen e lëndëve më komplekse. Për më tepër gjyqësori duhet të respektojë gjithmonë afatet strikte të përcaktuara me ligj për të siguruar dhënien në kohë të drejtësisë pasi që vetëm kështu arrihet zgjidhja e rasteve në bazë të parimeve të drejtësisë.

Si përfundim, sistemi i drejtësisë së Kosovës duhet të ketë prioritet zgjidhjen në kohë të rasteve dhe respektimin e afateve nëse shpreson të rifitojë besimin e publikut dhe respektin për sundimin e ligjit. Dështimi për ta bërë këtë vetëm do të jetësojnë padrejtësinë dhe do të dëmtojë demokracinë në Kosovë.

-GARA E ESEVE është realizuar në kuadër të Projektit “JUST REACT- Ngritja e reagimit qytetar drejt një qasjeje të përmirësuar në drejtësi në Kosovë” i financuar nga European Union in Kosovo dhe implementohet nga Group for Legal and Political Studies (#GLPS) në bashkëpunim me Community Development Fund – CDF

Facebook
Pinterest
LinkedIn
Twitter