Policia e Kosovës njofton se gjatë 24 orëve të fundit ka pranuar informata për pesë raste të dhunës në familje në nivel vendi.
Sipas Policisë, lidhur me dyshimin se kanë kryer këtë vepër penale, tre persona janë dërguar në mbajtje, dy persona të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt dhe një i dyshuar gjendet në arrati.
Kësisoj, masa e ndalimit prej 48 orëve i është caktuar personit që dyshohet se në Gjilan kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër boshnjake.
Nga lëndimet e shkaktuara, viktima thuhet se ka pranuar edhe tretman mjekësor.
Tutje, me vendim të prokurorit, në mbajtje është dërguar edhe një qytetar nga Ferizaj, i cili dyshohet që gjatë ditës së djeshme kishte kanosur familjarët e tij dhe ka sulmuar fizikisht njërin nga zyrtarët policor.
Personi i tretë i cili u dërgua në mbajtje është nga qyteti i Pejës dhe i njëjti dyshohet se dje ka shkaktuar dhunë fizike dhe psiqike ndaj dy familjarëve të tij. Po ashtu, i ndaluari dyshohet se kishte shkaktuar edhe dëmtim prone.
Tutje, rast i dhunës në familje është raportuar edhe në Prizren, ku një person dyshohet se ka shkaktuar dhunë në familje si dhe ka dëmtuar derën e hyrjes së banesës.
Lidhur me rastin, Policia njofton se po zhvillon hetime pasi i dyshuari gjendet në arrati.
Sa i përket rastit të dhunës në familje që është raportuar në 24 orët e fundit në Prishtinë, Policia bën të ditur se i njëjti është raportuar nga viktima femër kosovare.
Sipas raportit policor, këtij rasti i ka paraprirë një mosmarrëveshje verbale në mes viktimës dhe familjarit të saj.
Në fund, raportohet se palët e përfshira në rast janë intervistuar e më pas janë liruar në procedurë të rregullt./Drejtësia Sot