Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), Enver Shabanit, drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i Komunës së Suharekës, të cilët po dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht. Kërkesa e Prokurorisë është aprovuar pas mbajtjës së seancës së sotme.
“Drejtësia Sot” ka raportuar se dy të dyshuarit me incialet E.Sh dhe B.K janë arrestuar nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.
Nga komunikata për media bëhet e ditur se të arrestuarit si persona zyrtar kanë qenë te caktuar për menaxhim dhe mbikëqyrje të kontratës për ndërtimin e disa rrugëve në një fshat të komunës së Suharekës në vitin 2022, ku vlera e kësaj kontrate ka qenë dhjetëra mijë euro.
“Pas daljes së prokurorit në vend ngjarje dhe ekspertëve kompetent dhe verifikimit të gjendjes faktike, si dhe intervistimit të dëshmitarëve, lidhur me ketë kontratë është konstatuar se e njëjta nuk është realizuar siç ka qenë e paraparë”- thuhet më tutje në komunikatën për media.
Tutje, dyshohet se të dyshuarit kanë përpiluar procesverbale dhe situacione fiktive/rrejshme ku kanë konfirmuar kryerjen e punimeve sipas kontratës, ndërsa sipas gjendjes në teren kjo kontratë nuk është realizuar.
Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Keqpërdorim dhe mashtrim me prokurim publik”./Drejtësia Sot